Presidenti Ilir Meta ka vizituar qytetin e Manastirit, ku u prit nga ministri i Kulturës së Maqedonisë, Asaf Ademi si dhe nga dhjetëra shqiptarë nga Maqedonia.
“Me shumë emocion rikthehem në qytetin e mrekullueshëm të Manastirit, për të përkujtuar së bashku me vëllezërit shqiptarë në Maqedoni, 110-vjetorin e Kongresit të Manastirit, këtë ngjarje historike për kombin tonë, që i bashkoi të gjithë shqiptarët rreth Alfabetit të gjuhës shqipe duke i paraprirë shpalljes së Pavarësisë në 28 nëntor 1912 në Vlorë”, theksoi presidenti.
Presidenti Meta ka vizituar shtëpinë muze ku u mblodh Kongresi i Manastirit, dhe ka shpërndarë në mënyrë simbolike 110 abetare për fëmijët shqiptarë të Manastirit.
“I uroj mbarë kombit shqiptar gëzuar 110-vjetorin e Alfabetit të gjuhës shqipe. Me shumë emocion rikthehem në Manastir. Të bëjmë gjithçka që kjo ndërtesë historike për shqiptarët të pasqyrojë më së miri kontributin e patriotëve shqiptarë. Pa Kongresin e Manastirit do të kishte qenë e vështirë edhe shpallja e Pavarësise së Shqipërisë”, tha Meta.
Shqiptarët janë faktor progresist në shërbim të paqes, stabilitetit dhe integrimit të rajonit”, tha Meta. /atsh