Në një takim elektoral nga Lushnja, Rama solli në vëmendje situatën e para dy viteve kur opozita ngriti çadrën në bulevard.
“Ikën nga parlamenti dhe ngritën çadrën në bulevard se nuk donin të votonin Vetingun, me të njëjtën muzikë që thonë sot nuk duam zgjedhje dhe këtë kryeministër. Dy vjet më parë, në momentin e fundit u arrit një marrëveshje që tregoi qartësisht se për ne shteti është para pushtetit. Ata u mësuan keq dhe frika erdhi duke u rritur, sepse tani Vetingu po pastron pallatin e Drejtësisë“, – tha Rama.
Kryeministri theksoi se Reforma në Drejtësi po ecën dhe dera e negociatave është gati të hapet, por ata duan ta mbyllin me çdo kusht atë derë.
“Me këto veprime dhe falë atij që është në zyrën e Presidentit sot, mund ta arrijnë përkohësisht, por kurrë nuk do të arrijnë ta zmbrapsin Drejtësinë për një kohë të gjatë”, – tha Kryeministri.
Rama tha se insiston që zgjedhjet të zhvillohen në 30 qershor, pasi 30 qershori është vija ku ndahet rruga e së shkuarës me rrugën e së ardhmes.
Nëse lëmë 30 qershorin kemi lënë të ardhmen, tha Rama duke shtuar se “nëse ndodh kjo, kemi pranuar se zgjedhjet nuk janë më çështje e popullit, por janë lojë e politikanëve”.
“Ne kemi një shumicë qeverisëse shumë solide, me pushtetin vendor kemi sot drejtimin e 75% të territorit të vendit, pothuaj të gjitha bashkitë kryesore të vendit. Po të ishte për mua, thjesht për një zgjidhje politike mund të thosha: zgjedhjet kur të doni ju. Dy vjet më parë ne mund të hynim në zgjedhje e të merrnim gjithë parlamentin, po të ishte se do të doja një pushtet me një ngjyrë dhe një parlament me një ngjyrë, kishim hyrë në zgjedhje atëherë“, – tha Rama. /atsh