Janë gjithmonë e më të largët vitet e errëta të socializmit brutal të Enver Hoxhës, siç është e largët data 8 gusht 1991, kur anija Vlora zbarkoi në portin e Barit, me 20,000 shqiptarë që iknin nga regjimi dhe varfëria.
Sot, shqiponjat e mëdha, simboli i vendit, fluturojnë gjithnjë më lartë, midis një PBB në rritje të vazhdueshme dhe dëshirës për ndryshim të gjeneratave të reja.
Kështu e nis reportazhin gazetarja Marta Foresi të botuar në revistën italiane “Face Magazine”.
Ekonomia rritet me 4%, duke tejkaluar parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar të Bankës Botërore. Agjencia e vlerësimit Moody’s gjykon pozitivisht reformat e qeverisë në funksion të bisedimeve të anëtarësimit në BE.
Kryeministri karizmatik Edi Rama është njeriu i momentit. Arkitekt, artist, kryetar bashkie i Tiranës dhe më pas Ministër i Kulturës ai ishte shpikësi i projektit të rizhvillimit urban, që ngjyroste ndërtesat gri të ndërtuara në stilin socialist. Ka tre zona kryesore ku mund të admirojnë shtëpitë e pikturuara: mbi bulevardin e gjatë “Bajram Curri”, pas urës së Tabakëve, në sheshin Wilson në fund të Bllokut dhe tek lagjia Zogu i Zi, ku ndalojnë autobusët që çojnë në Durrës dhe në Krujë.
E kaluara është një kujtesë e largët. E vetmja reminishencë është xhamia Muradie, një ish kishë bizantine e transformuar nga osmanët në 1537. Blloku është simbol i Tiranës së re. Këtu jetonin zyrtarët e regjimit komunist, sot është i mbushur me bare dhe kafene, restorante dhe dyqane të modës.
Tatimi i ulët dhe rregullat e pakta burokratike kanë sjellë shumë italianë dhe europianë në vend, të cilët kanë vendosur të investojnë në Shqipëri. Universiteti i Tiranës ka lidhur bashkëpunime me ato italiane dhe Fakulteti i Mjekësisë dhe Kirurgjisë në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” është ndër universitetet e para në vend dhe bashkëpunon me profesorët e Universitetit të Mjekësisë së Studimeve Tor Vergata të Romës.
Në Shqipërinë e re, turizmi fluturon, në sajë të çmimeve të ulëta, plazheve të bukura dhe kuriozitetit për të zbuluar një destinacion të ri pushimi: 1,919,504 të huaj hynë në vend në gjysmën e parë të vitit 2018, 9% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2017. Nga viti 2012 deri në vitin 2017, pranimet pothuajse u dyfishuan nga 3.2 milionë në 5.1 milionë. Në vetëm dy muaj, nga qershori deri në korrik të këtij viti, numri i kompanive që operojnë në zonat turistike është rritur me 58% dhe janë regjistruar 1.531 kompani të reja në zonat bregdetare të Durrësit, Lezhës, Shkodrës dhe Vlorës.
Bumi sjell mundësi, por edhe rrisqe. Me ekonominë rritet edhe çimentoja ;resortet e ndërtuara mbi shkëmbinj, pa ndonjë plan ndërtimi rrezikojnë shumë zona arkeologjike. Shqipëria më autentike mbetet kështu ajo e ndërlidhjes me qendrat historike të Gjirokastrës dhe Beratit, të shpallura pasuri të Unesco, me Përmetin dhe Ujërat Termale të Bënjës dhe Luginën e Valbonës, “Mrekullia e Alpeve Shqiptare”, siç e quajnë këtu./atsh