Nga Roskoveci, kryeministri Edi Rama deklaroi çdo gjë mund të diskutohet por 30 qershori jo.
Ai tha se opozita po bën çmos për të bllokuar zgjedhjet që të pengojnë integrimin në BE sepse kështu mund të shmangin edhe përgjegjësinë para drejtësisë.
“Sot unë duhet të them se të gjithë picirin që kam hequr me Majlindën ja kam bërë hallall. Ka këmbëngulur edhe kur unë dukesha i vendosur, mjaft tani se nuk kemi mundësi. Nëse do bënim një garë kokëfortësie, që koka ime nuk thyhet lehtë do humbisja përpara Majlindës.
Kokëfortësia jonë për 30 qershorin është e lidhur me bindjen e argumentuar se duhet çuar deri në fund puna që kemi nisur. Koha e të paprekshmëve ka mbaruar. Duhet të çojmë deri në fund kokëfortësinë për të ecur drejt BE.
Ata që ikën nga zgjedhjet janë rrugëve duke bërë çdo përpjekje për të dëmtuar vendin, duke prodhuar pamje përmes një organizimi të qëllimshëm me njerëz që sulmojnë parlamentin me molotov dhe duke dalë nëpër mediat e huaja krijojnë idenë se këtu bëhet nami.
Ata që bëjnë këtë punë janë një popull imagjinar. Janë të rinj rrugë humbur që paguhen për të vënë maskat për të shantazhuar popupllin shqiptar tashmë që duhet të ishin të njëzëshëm si përfaqësues të gjithë popullit që sot të kërkonim njëzëri që Shqipërisë t’i hapej dera.
Katërshja që kërkon me patjetër ta marrin peng vendin, Saliu, Iliri, Luli, fallxhorja e kanë tmerr të ulin në atë tryezë, sepse aty bisedimet nisin me reformën në drejtësi që të provohet se në Shqipëri mund të hetohen të gjithë ata që nuk janë prekur për 30 vjet, që sistemi funksionon.
Zgjedhjet i pengojnë për të thënë pse duhet t’i hapni bisedimet me këtë vend që nuk ka shtet. Njeriu më i interesuar për ta lënë këtë punë jam unë, pse duhet të jem unë kokëfortë, unë s’jam as Majlinda Bufi. Qeverinë e kemi si na e dhanë shqiptarët në 2017, pa asnjë në prehër se na i hoqën shqiptarët nga prehëri. Kam thënë që në sekondën e parë se gjithçka mund të diskutohet por 30 qershori jo”, tha Rama.