Sot përcaktohet fati i negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Ministrat e Jashtëm të vendeve të BE pritet që sot të japin vendimin për hapjen ose jo të negociatave për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Duket se fati i vendit tonë tashmë është përcaktuar, pasi një prej vendeve të BE si Holanda ka votuar në Parlamentin e saj kundër hapjes së negociatave.

Nga ana tjetër ekziston një dritë jeshile për Maqedoninë e Veriut, e cila mund të ndahet nga Shqipëria në këtë proces.

Ministri i Jashtëm shqiptar Gent Cakaj pret një përgjigje pozitive për të dy vendet.

Ai përjashton kategorisht mundësinë e ndarjes së Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria, duke theksuar se kjo e fundit ka përmbushur të gjitha kushtet.

Vendimi do të merret gjatë samitit që do të zhvillohet sot në Luksemburg. Para nisjes drejt Luksemburgut, shefja e diplomacisë europiane Federica Mogherini bëri thirrje për një vendim pozitiv për dy vendet, si vlerësim për reformat e ndërmarra.

Megjithatë, sipas Deutsche Welle vendimi pritet të shtyhet për në shtator të këtij viti, pas vendimit të qeverisë së Holandës që e konsideron hapjen e negociatave për Shqipërinë si të parakohshëm.

Loading...