“Të flasim dhe të shkruajmë bukur dhe pa gabime gjuhën shqipe” – Mësimi 27 – Çështje gramatikore‎ – Nga mësuesja e gjuhës shqipe Lejla Gorishti

RUBRIKA
“Të flasim dhe të shkruajmë bukur dhe pa gabime gjuhën shqipe”

MËSIMI 27

Nga mësuesja e gjuhës shqipe Lejla Gorishti

Çështje gramatikore‎
Disa trajta të shumësit të emrave dhe të mbiemrave‎

-Nga emrat femërorë më -ë, shkruhen në shumës:

me mbaresën -a emra si: ara-t, arra-t, arka-t, banka-t, banja-t, barka-t, biseda-t, bisha-t, detyra-t, fara-t, faza-t, forma-t, fusha-t, fytyra-t, kazma-t, kërpudha-t, kisha-t, klasa-t, lopata-t, maja-t, mënyra-t, mynxyra-t, napa-t, natyra-t, nevoja-t, nyja-t, pëlhura-t, pisha-t, pulpa-t, qafa-t, rroba-t, shembëlltyra-t, shtëllunga-t, toka-t, thika-t, veta-t, vlera-t;

me -ë, ashtu si në njëjës, emra si: anë-t, bathë-t, bjeshkë-t, dallgë-t, degë-t, fletë-t, gojë-t, gozhdë-t, gjurmë-t, gjymtyrë-t, jetë-t, këmishë-t, kofshë-t, lëpjetë-t, llërë-t, mollë-t, pjesë-t, pjeshkë-t, rrugë-t, strehë-t, shegë-t, udhë-t.

Shënim.
Sipas kuptimeve me të cilat përdoren, një numër emrash shkruhen me dy trajta shumësi:

brinjë: brinjë-t (brinjët e trupit), brinja-t (në ato kodra, në ato brinja); copë: copë-t (pesë mijë copë tulla), copa-t (dy copa bukë); grykë: grykë-t (më dhembin grykët), gryka-t (grykat e maleve); kokë: kokë-t (dhjetë kokë dhen), koka-t (kokat e qepëve); lëkurë: lëkurë-t (përpunimi i lëkurëve), lëkura-t (lëkurat e pemëve); pikë: pikë-t (fitoi pesë pikë), pika-t (pikat e shiut).

-Trajta e pashquar e emërores së shumësit të emrave femërorë më -i, -e, -a ose -o të theksuar, si edhe më -e, -o të patheksuar, shkruhet njësoj si ajo e njëjësit:

një hardhi – shumë hardhi, një qershi – shumë qershi, një shtëpi – shumë shtëpi, një tepsi – shumë tepsi; një ide – shumë ide, një rrëke – shumë rrëke, një rrufe – shumë rrufe; një bela – shumë bela, një kala – shumë kala, një shaka – shumë shaka; një byro – shumë byro, një tablo – shumë tablo etj.;

një anije – shumë anije, një lule – shumë lule, një perde – shumë perde, një shishe – shumë shishe; një depo – shumë depo, një pako – shumë pako, një pallto – shumë pallto, një triko – shumë triko etj.

-Për disa nga emrat e tipave të mësipërm, për qëllime të caktuara stilistike-shprehëse ose me ngjyrime të veçanta kuptimore, përdoret në gjuhën letrare edhe shumësi me -ra: çudira, gostira, kusira, marrëzira, mrekullira, tepsira, trimërira; idera; belara, shakara etj.
Mësuesja e gjuhës shqipe
Lejla Gorishti.

Për të ndjekur mësim plotësues të gjuhës shqipe falas mund të kontaktoni :
Tel : 0675270616 ( Lejla)
Facebook : https://www.facebook.com/lejla.gorishti

Loading...