Projekti kërkimor ‘Forumi Romak’, në parkun e Butrintit

Gjatë muajit qershor në Butrint po zhvillohet projekti kërkimor “Forumi Romak”, i cili ka për qëllim të sqarojë formën, kronologjinë dhe fazat e monumenteve të veçanta historike, pjesërisht të zbuluara, në këtë zonë, përmes gërmimeve të mëparshme dhe do të saktësojë stratigrafinë e qendrës së lashtë urbane.

Ky studim arkeologjik është i nevojshëm për të realizuar botimin përfundimtar të projektit, të quajtur “Butrinti: Forumi Romak”. Butrinti, ashtu si shumë qendra të tjera të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri, u shpall monument kulture, që në vitin 1948 me një akt të parë rregullues për monumentet e kulturës.

Në vitin 1981, zona e pyllëzuar përreth Butrintit u shpall gjithashtu monument kulture sipas ligjeve ekzistuese, për mbrojtjen e zonave arkeologjike me rëndësi mjedisore.

Në rrafshin ndërkombëtar, rëndësia e qytetit antik u njoh dhe u konfirmua si e tillë në vitin 1992, kur ai u përfshi në listën e pasurive botërore të UNESCO-s.

Kjo u bë nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore, duke iu referuar konventës së vitit 1972, “Për mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore Kulturore dhe Natyrore”.

Parku kombëtar i Butrintit u krijua nga Ministria e Kulturës, duke përfshirë një sipërfaqe toke shtetërore prej 29 km/katrorë. Kufijtë e këtij parku, shtrihen në daljen e fshatrave përreth tij, si Ksamili, Vrina, Shëndëllia dhe Xarra.

Krijimi i parkut kombëtar u bë një domosdoshmëri, sipas specialistëve, për ruajtjen e vendndodhjes dhe atmosferës unikale të Butrintit, për ruajtjen e të dhënave arkeologjike të disa qendrave dhe monumenteve të zbuluara në këtë vatër të qytetërimit antik, si dhe për një menaxhim më efektiv, duke reflektuar edhe rekomandimet e UNESCO-s të vitit 1997.

Në këtë kuadër u krijua edhe Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Butrintit, e cila luan rol për menaxhimin dhe ruajtjen e vlerave të parkut, politikat që aplikohen dhe kontrollohen nga Ministria e Kulturës. Brenda parkut ndodhen 10 zona të shquara arkeologjike, që lidhen me historinë e Butrintit. 

Disa prej tyre janë zona brenda mureve të Butrintit, ajo jashtë mureve, Diapori, Fortesa – kalaja e Ali Pashë Tepelenës, Kalivoi, Shën Dëllia, Shën Dhimitri, Xarra, Ana e Kanalit të Vivarit etj. /atsh

Loading...