Interneti, të paktën versioni më i prekshëm, është kthyer në një shpatull të ngrohtë elektronike, por që e bën punën njësoj. Çdo ditë, me qindra njerëz na shkruajnë për një mendim të dytë a të dyzetë. Në ndihmë të atyre që kanë nevojë për përvojën kolektive të qindra mijëra lexuesve të Anabel, menduam t’i postojmë letrat tuaja në formën e artikujve. Në këtë mënyrë, edhe ju i gjeni më lehtë kur të gjendeni në të njëjtën vështirësi ndonjë ditë. Faleminderit që na shkruani e faleminderit që na lexoni.
“Diku rreth moshës 17-vjeçare u njoha me një djalë në dasmën e një të afërmi tim. U pëlqyem, u njohëm dhe u lidhëm për katër vite. Gjithçka shkonte për mrekulli; kuptoheshim me shikim, shkonim shumë dhe nuk kishte ditë që të mos bënim plane për të ardhmen tonë, për bebat që do të bënim, për jetën që do të kalonim. Deri këtu, gjithçka ishte ok.
Pas dy vitesh, lidhjen e bënë familjare dhe lidhja vazhdonte normalisht derisa një ditë zbulova që isha shtatzënë. Ishte diçka që e donim të dy, pavarësisht moshës që kisha. E lumtur për lajmin që mora, e telefonoj dhe i them. Ai heshti një moment dhe më tha ‘ok, takohemi dhe do të flasim nga afër’. Gjithë natën nuk më zuri gjumi nga lumturia. Në kokën time planifikoja filma me skena nga më të ndryshmet se si do të ishte jeta jonë, si do t’ia thonim prindërve. Nuk më zinte gjumi nga emocionet. Të nesërmen, nga pasditja më merr në telefon dhe më thotë që shkojmë në hotel të flasim më qetë për këtë muhabet. U habita pak që zgjodhi atë vend, po nejse nuk e zgjata. U vesha dhe shkova.
Sapo shkova, as më përqafoi e as më shprehu minimumin e emocionit, por direkt më tha ‘Ulu dhe më thuaj të vërtetën. Me kë e ke këtë fëmijë?’. U shtanga e tëra dhe lotët më rridhnin në faqe papushim. Më shokoi ajo pyetje dhe nuk po i ktheja dot përgjigje. Më kap nga krahu dhe më bërtet duke më përsëritur pyetjen.
I thashë që nuk i kam dhënë kurrë shkas që të dyshonte te unë, përkundrazi i kisha shprehur dashurinë çdo ditë.
Ishte tejmase i revoltuar dhe vërtitej nëpër dhomë duke përsëritur pyetjen. Po çfarë t’i thoja? Zemra në ato moment e di si ka duruar.
E pa që nuk mori asnjë përgjigje nga unë dhe filloi duke më qëlluar, më mori zvarrë prej flokësh, më plasi në tokë dhe vetëm më qëllonte. Në ato momente, lutesha vetëm që ai engjëll t’i mbijetonte shkelmave të atij kafshe mizore. Më ka rrahur gjithë mbasditen dhe gjithë natën. Nuk e di ku e gjeja forcën të ngrihesha.
Në një moment kur ishte në gjumë, gjej mundësinë dhe largohem ngadalë. Pas disa hapash, ndjej një therrje të tmerrshme në bark që më përshkoi mesin. Duke qenë se isha në një vend larg qytetit, dal në rrugë me shpresë që do të kalonte një makinë të më merrte. Ashtu ndodhi.
Një djalë i ri kthehej nga një festë me makinë dhe më mori e më çoi në spital ku mora ndihmën e parë dhe lajmin që bebi nuk kishte rrahje zemre. Dy goditje në një ditë. Vallë si duroi kjo zemër? Thashë që femra qenka e fortë si qenie.
Vendosa të largohem njëherë e mirë nga ai duke bërë dhe denoncim për atë që bëri, ku maksimumi mori një javë dënim.
Djali që më shpëtoi, sot është babai i engjëllit tim, princit tim. Jemi të martuar dhe nuk ka ditë që të mos më shprehë dashurinë.” – shkruar nga një vajzë anonime për Anabel në lidhje me temën “Momenti kur mora vesh se isha shtatzënë”.