Majko: “E paimagjinueshme që PD të ndalojë njerëzit të votojnë në 30 qershor”

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko deklaroi sot se opozita duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet lokale.

Në një intervistë televizive Majko tha se, “rëndësi ka të mos shkohet tek përplasja. Është e paimagjinueshme që PD që lindi si partia për liri të ndalojë njerëzit të votojnë. Nëse janë të mendimit se zhdekretimi i Presidentit është i ligjshëm të shkojnë në Gjykatën Kushtetuese, jo të djegin shkolla”.

Sipas Majkos “nuk vë në rrezik njeri sot jetën e tij dhe familjen e tij për politikanët. Sot PS nuk ka asnjë mundësi të kthehet mbrapsht. PD ka të drejtë të kërkojë zerimin e procesit zgjedhor. Të shkojë në gjykatë, të mos nxjerrin njerëzit të përplasen. Kjo do të ishte gjëja e duhur

Majko u shpreh se, “Gjykatën Kushtetuese nuk e ka shpërndarë me vendim kryesia e PS. Gjykata Kushtetuese ka ardhur në atë gjendje si pasojë e një procesi të votuar me 140 vota në parlament. Gjykata Kushtetuese në momentin që do të ngrihet do të vendosë. Në momentin që gjykata Kushtetuese vendos që zgjedhjet janë të paligjshme, zgjedhjet do të ribëhen. Por sot nuk mund të na ndalojë njeri ne të mos zhvillojmë zgjedhje”.

Duke folur për deklaratën e ambasadës së SHBA, Majko tha se, “këto deklarata më shumë sesa për t’u vlerësuar në kuptimin e parë duhen pare mes rreshtave. Dhe mendoj se ata që kanë eksperiencë dhe PD nuk i mungojnë njerzit me eksperiencë arrijnë t’i kuptojnë kumtet e këtyre deklaratave”.

Zhdekretimin e presidentit Meta, Majko tha se, “e shoh jo si një shtyrje zgjedhjesh, por anulim, ndërprerje të procesit zgjedhor. për këtë u shpreh parlamenti dhe KQZ që në momentin që doli dekreti ishte autoriteti i vetëm i menaxhimit të autoritetit zgjedhor. Mendoj se Presidenti ka bërë një gabim të madh duke bërë këtë dekret dhe sidomos duke mos dhënë zgjidhje pas këtij dekreti”.

Në lidhje me përgjimet e publikuara nga Bild, Majko tha se, përgjigja më e mirë është drejtësia./atsh

Loading...