Orkestra Simfonike e RTSH-së u themelua më 16 maj të vitit 1962 si formacioni orkestral më i madh i kohës. Orkestrantët ishin kryesisht muzikantë të rinj, që studiuan në vend, si dhe nga profesionistë të specializuar në Pragë, Moskë, Laipcig etj. Fillimisht u quajt Orkestra Simfonike e Radios dhe Kinematografisë.
Krijimi i saj shënoi një etapë të re në zhvillimin kulturor dhe artistik në Shqipëri. Koncerti i parë u realizua më 20 gusht të po atij viti nën dirigjimin e Mustafa Krantjes dhe u luajtën vepra të Haydn, Mendelssohn dhe Mozart. U ekzekutuan dhe u regjistruan veprat e kompozitorëve shqiptarë Zadeja, Harapi, Daija, Grimçi, Çangu, Lara, etj, për të vijuar me brezat më të rinj si Gaqi, Dizdari, Kushta, Lara, Peçi, etj.
Gjithashtu u realizuan produksionet muzikore për shumicën e filmave shqiptarë. Qëllimi i krijimit të këtij formacioni brenda institucionit të RTSH ishte që të siguronte dhe mbulonte me orë transmetimi muzikore mundësimin e realizimit të shumë aktiviteteve artistike që ideonte dhe realizonte ky institucion.
Krijimi i këtij formacioni të madh muzikor solli një ndikim të jashtëzakonshëm të ndjeshëm dhe të menjëhershëm në zhvillimin muzikor në të gjithë vendin duke sjellë hapa ne zhvillimin e përgjithshëm kulturor. Janë ekzekutuar dhe regjistruar si emisione radiofonike për atë kohë veprat e para te kompozitoreve dhe njëkohësisht të drejtuesve muzikorë të institucionit si simfonitë e para të Abdulla Grimcit, Vath Çangut e më pas veprat e kompozitorëve të tjerë të cilët u bënë dhe udhërrëfyesit e zhvillimit muzikor në vend.
Të gjithë lartësuan artin muzikor në përgjithësi dhe rritën bashkë me të dhe nivelin artistik e mjeshtëror të Orkestrës Simfonike të RTSH. Që nga veprat e para të ekzekutuara nën drejtimin e dirigjentëve të saj të parë Mustafa Krantja e Simon Gjoni me veprat klasike të literaturës botërore e deri tek aktiviteti i gjatë e shumëformësh i dirigjentëve të këtij formacioni Ferdinand Deda, Eno Koço, Ermir Krantja, Oleg Arapi, Jetmir Barbullushi etj, orkestra simfonike e RTSH është përballur me sukses dhe me vepra të literaturës së spikatur botërore romantike apo moderne bashkëkohore e drejtuar edhe nga mjeshtra dirigjentë të huaj. /atsh