Shehu: “Nëse qeveria mendon ta djegë me gaz e napal vendin dhe të ngrohë duart e saj në atë flakë, sigurisht që në Kukës ajo do të digjet në zjarrin që po ndez vetë.”

Përmes një mesazhi në “Facebook”, Shehu akuzon kryeministrin Edi Rama, që sipas tij, po shton presionin e paligjshmërisë që nxit qytetarët për reagime të forta.

Më tej, kryebashkaku shton se Rama me çdo kusht kërkon ta damkosë Kukësin, pasi kuksianët i janë bërë pengesë dhunës e antishtetit të tij.

Mesazhi i plotë i kryebashkiakut:

Orë pas ore kryeministri Rama po shton presionin e paligjshmërisë që nxit qytetarët për reagime të forta në Kukës. Me çdo kusht kërkon ta damkosë Kukësin, pasi kuksianët i janë bërë pengesë dhunës e antishtetit të tij.

Në territorin e Bashkisë Kukes janë arrestuar nga policia Ersi Biçaku polic bashkiak, Ahmet Cahani dhe Ermal Haziri shoferë sherbimesh, Lulëzim Shehu punëtor gjelbërimi, Ervin Meshi banor i Kukësit.

Qeveria nuk duhet të ndërsejë as policinë e as organet e drejtësisë kundër kuksianëve, pasi qeveria ikën e ndërrohet shpejt një ditë, por kuksianët do të mbeten këtu ku janë, qofshin protestues, qofshin policë, gjyqtarë apo prokurorë.

Nëse qeveria mendon ta djegë me gaz e napal vendin dhe të ngrohë duart e saj në atë flakë, sigurisht që në Kukës ajo do të digjet në zjarrin që po ndez vetë.
Kukësin mjaft e kanë djegë qeveritë e huaja, nuk e toleron të digjet nga qeveria shqiptare.

Sa ishte në fuqi Dekreti i Presidentit, Bashkia Kukës po bashkëpunonte korrekt me qeverinë dhe institucionet e saj për zgjedhjet.

Tani që nuk ka datë zgjedhjesh, të cilën e cakton vetëm Presidenti në bazë të Kushtetutës, Bashkia e Kukësit nuk mundet të bëjë shkelje ligjore e të përfshihet në një proces zgjedhor të paligjshëm dhe nul.

Në Shqipërinë pluraliste pushtetet janë të ndara dhe Bashkia e Kukësit nuk bëhet dot palë me qeverinë Rama që synon ta fshijë e ta zhbëje pushtetin kushtetues të Presidentit të vendit, i cili është i vetmi institucion që Kushtetuta i jep tagrin të caktojë daten e zgjedhjeve.

Në zbatim të Dekretit presidencial, Bashkia e Kukësit nuk mund të lejojë që të ketë votime të paligjshme si në kohën e diktaturës kur votohej 99/99 %, por nuk kishte zgjedhje se nuk kishte rivalë.

Dekretet e Presidentit të cilat ne i zbatojmë, nuk janë lënë të gjykohen nga qeveria e as nga institucione periferike të saj.

Dekreti i Presidentit që thotë se nuk ka zgjedhje me datën 30 qershor 2019 do të zbatohet rigorozisht nga Bashkia Kukës, në gjithë territorin e Bashkisë dhe jo vetëm në objektet në pronësi të Bashkisë.

Nëse qeveria ka ndonjë paqartësi për këtë, ta cojë ceshtjen në Gjykatë Kushtetuese, pasi qeveria dhe asnjë institucion vartës i saj nuk është Gjykatë Kushtetuese.

Loading...