“Të flasim dhe të shkruajmë bukur dhe pa gabime gjuhën shqipe” – Mësimi 30 – Drejtshkrimi i nyjës së përparme – Nga mësuesja e gjuhës shqipe Lejla Gorishti

RUBRIKA
“Të flasim dhe të shkruajmë bukur dhe pa gabime gjuhën shqipe”

MËSIMI 30

Drejtshkrimi i nyjës së përparme.
Nga mësuesja e gjuhës shqipe Lejla Gorishti

Vazhdim i mësimit 29.

11-Kur pas një emri femëror ndeshen dy nyja të përparme të rasës gjinore të gjinisë femërore (së së ) e para nga këto shkruhet të :

hartimi i nxënëses të së pestës së tetëvjecarës; ditëlindja e vajzës të së motrës etj.

12. Midis emrave mashkullorë që lakohën si femërorët (axhë, bacë, dajë, gegë, hoxhë, lalë, toskë; Bato, Gjokë, Kolë, Pirro, Sulë etj.) dhe emrave ose mbiemrave që i përcaktojnë ata, pas rasës emërore të të përcaktuarve shkruhet nyja i , ndërsa në gjinore, dhanore e rrjedhore shkruhet nyja së :

axha i Agimit, (i,e ) axhës së Agimit; daja i Zanës, (i,e ) dajës së Zanës; Kola i Gjokës, (i,e ) Kolës së Gjokës etj.

13. Mbiemrat e nyjshëm të shkallës pohore, kur vijnë pas një emri femëror në rasën gjinore a dhanore të trajtës së pashquar të njëjësit, shkruhen me nyjën të , ndërsa kur vijnë pas një emri në trajtën e shquar, shkruhen me nyjën së :

oborri i një shkolle të madhe; oborri i shtëpisë së madhe etj.

14. Në shkallën krahasore dhe në sipëroren e formuar me pjesëzën më mbiemrat e nyjshëm që përcaktojnë një emër femëror, në të gjitha rasat e zhdrejta të njëjësit shkruhen me nyjën e përparme të , ndërsa, kur ndodhen para emrit, shkruhen me nyjën së :

hartimi i një rregulloreje të re e më të plotë; prodhimi i më së mirës verë të vendit etj.

15. Mbiemri i nyjshëm që ndjek një kundrinë të drejtë, të shprehur me një emër në kallëzore të shquar, merr nyjën e , kur është cilësor, dhe nyjën të , kur ka funksion kallëzuesor:

ndaji mollët e mëdha nga të voglat; i dua mollët të ëmbla etj.

16. Mbiemrat e nyjshëm që ndjekin një emër në rrjedhoren e pashquar të shumësit marrin nyjën të e jo së :

(prej) malesh të larta; (prej) lumenjsh të rrëmbyer etj.

17. Përemrat pronorë im, ime, yt, jote, ynë, jonë, juaj qoftë kur përcaktojnë një emër, shkruhen pa nyjë të përparme:

libri im; ky libër është imi; puna ime; kjo punë është imja; djali yt;
yti ky djalë?; shtëpia jote; kjo shtëpi është jotja; vendi ynë; ky vend është yni; shkolla jonë; kjo shkollë është jona etj.

Përemrat pronorë [ e (të) mi, e (të) mia, e (të) tu, e (të) tua), i (e,të) tij, i(e,të) tyre, i (e,të) saj ] shkruhen me nyjë të përparme në të gjitha trajtat dhe përdorimet e tyre:

nxënësit e mi; fletoret e mia; djemtë e tu; duart e tua, shkolla e tij; motra e saj; fshati i tyre; nëna e tyre etj.

Mësuesja e gjuhës shqipe
Lejla Gorishti.

Për të ndjekur mësim plotësues të gjuhës shqipe falas mund të kontaktoni :
Tel : 0675270616 ( Lejla)
Facebook : https://www.facebook.com/lejla.gorishti

Loading...