Programi ‘100 fshatrat’, Nivica pikë referimi për zhvillimin e agroturizmit

Qeveria miraton fondin 8 milionë euro për rikonstruksionin e rrugës Bençë – Lekdush

Nivica është një fshat i bekuar për bukuritë natyre që ka, njerëzit punëtorë dhe potencialet e jashtëzakonshme për zhvillimin e blegtorisë dhe agroturizmit.

E përfshirë në programin “100 fshatrat”, Nivica është kthyer në një pikë referimi për zhvilimin e agroturizmit.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi, gjatë një vizite në këtë fshat, diskutoi me banorë të kësaj zone për ecurinë e zbatimit të programit “100 fshatrat”, dhe pa nga afër punët e realizuara tashmë në këtë fshat të bukur, ku ka përfunduar ndërtimi i dy bujtinave dhe të tjera janë në ndërtim e sipër.

“Ky fshat dhe e gjithë zona përreth do të shndërrohet në një pol të rëndësishëm të turizmit malor në jug të vendit. Nuk është fare rastësi që sot në Nivicë takon edhe turistë, të cilët qëndrojnë aty për disa ditë për të shijuar natyrën dhe ushqimet tradicionale, mes të cilave spikat mishi dhe djathi me shije karakteristike”, tha Çuçi.

Ndërsa theksoi se, lajm i mirë për të gjithë në këtë zonë është miratimi i fondit prej 8 milionë eurosh për rikonstruksionin e rrugës nga Bença në Lekdush.

Ky investim i rëndësishëm i qeverisë shkurton kohën për të shkuar në Nivicë dhe ndihmon shumë ekonominë lokale. Ndërsa për blegtorët e shumë të kësaj zone, bëri të ditur ministri Çuçi, po shohim mundësinë e zgjerimit të tufave të të imtave të mbarështuara për mish për tregun e Lindjes së Mesme.

“Aktualisht jemi në bisedime për këtë çështje dhe besoj se së shpejti do të kemi rezultate konkrete. Blegtoria është një sektor të cilin ne do ta mbështesim shumë sepse besojmë që mund të krijojmë avantazhe konkurruese të mëdha. Ju ftoj ta vizitoni Nivicën. E sigurt që keni për t’u mrekulluar”, tha ministri Çuçi. /atsh

Loading...