Rudina Hajdari: “Çdo hap drejt acarimit të gjendjes dhe ekstremizimit të pozicioneve Meta-Rama nuk është asgjë tjetër veç se një sfidë personale dhe jo një qëndrim pro interesit të Shqipërisë”

Deputetja Rudina Hajdari ka komentuar përplasjen e fundit mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta. 

Në një postim në rrjetet sociale ajo shkruan se: “Çdo hap drejt acarimit të gjendjes dhe ekstremizimit të pozicioneve Meta-Rama nuk është asgjë tjetër veç se një sfidë personale dhe jo një qëndrim pro interesit të Shqipërisë”.

Presidenti Ilir Meta tha sot se “zgjedhje në 30 Qershor ligjërisht nuk ka e nuk do të ketë”.

Në një dalje publike pas vendimit të djeshëm të Kolegjit Zgjedhor, Kreu i Shtetit tha se ky vendim “ka të bëjë vetëm me marrëdhënien e partisë ankuese, aleate e Partisë Socialiste dhe organizatës socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që kanë vendosur të zhvillojnë një proces të paligjshëm në 30 Qershor”.

Ishte Partia e Unitetit Kombëtar (PUK), e cila vuri në lëvizje Kolegjin, pasi më parë i kishte kërkuar Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve të çregjistrohej nga pjesëmarrja në zgjedhjet vendore, duke qenë se Kreu i Shtetit kishte vendosur anulimin e 30 Qershorit.

Por KQZ-ja e kishte rrëzuar këtë kërkesë. Duke njohur si të drejtë, vendimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, lidhur me kërkesën e Partisë së Unitetit Kombëtar, Kolegji praktikisht ka njohur 30 Qershorin si datën e zhvillimin të zgjedhjeve vendore.

Por për presidentin Meta “institucioni i Presidentit të Republikës nuk është thirrur nga kjo gjykatë zgjedhore si palë në proces, e për rrjedhojë vendimi i marrë nuk mund të prodhojë asnjë efekt juridik, qoftë për Dekretin, ashtu edhe për anulimin e datës së zgjedhjeve. Në këtë proces – nënvizoi Kreu i Shtetit – Kolegji Zgjedhor nuk mund të shqyrtonte aspak vlefshmërinë kushtetuese të Dekretit të Presidentit të Republikës, pasi një tagër të tillë nuk ia njeh Kushtetuta”.

Shumica e majtë e ka konsideruar që në fillim si “të pavlefshëm” dekretin e Presidentit Meta dhe vijon fushatën e saj elektorale, ndërkohë që opozita e cila i ka bojkotuar zgjedhjet vendore, këmbëngul duke deklaruar se nuk do të lejojë zhvillimin e tyre. Javën e shkuar në shumë prej qyteteve ku bashkitë drejtohen nga përfaqësuesit e opozitës, mbështetësit e saj u mblodhën para Komisioneve zgjedhore zonale.

Në disa raste pati dhe përplasje të dhunshme me policinë, e mbështetësit e opozitës mundën dhe të hyjnë brenda mjediseve të Komisioneve duke marrë e shkatërruar materialet zgjedhore./ Opinion.al

Loading...