Pas rindërtimit deri në fund të vitit të 80 qendrave shëndetësore në gjithë vendin, qeveria parashikon që vitin e ardhshëm të ndërhyjë në 100 qendra të tjera shëndetësore.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, duke theksuar se kështu shkohet drejt finalizimit të objektivit për rindërtimin e 300 qendrave shëndetësore deri në fund të këtij mandati.
“Ne po ecim me rindërtimin e qendrave të reja shëndetësore. Ambicja është që të kemi 300 qendra të reja shëndetësore të pajisura dhe me staf të kualifikuar. Në fund të këtij viti mbarojnë 80 qendrat e para, vitin e ardhshëm 100 të tjera dhe do t’ia dalim që deri në fund të këtij mandati të kemi 300 qendra të reja shëndetësore”, – tha Rama.
Kryeministri vlerësoi po ashtu se, “ndërkohë është bërë zgjedhja e duhur dhe po shikohen rezultate pozitive me instrumentat mjekësore dhe sterilizimin që po shtrihet në gjithë infrastrukturën spitalore”. /atsh