“Të flasim dhe të shkruajmë bukur dhe pa gabime gjuhën shqipe” – Mësimi 31 – Shkrimi i disa pjesëzave dhe parafjalëve – Nga mësuesja e gjuhës shqipe Lejla Gorishti

RUBRIKA
“Të flasim dhe të shkruajmë bukur dhe pa gabime gjuhën shqipe”

MËSIMI 31

Nga mësuesja e gjuhës shqipe Lejla Gorishti

SHKRIMI I DISA PJESËZAVE DHE PARAFJALËVE

-Trajtat foljore që formohen me do të shkruhen zakonisht të plota:

do të shkoj, do të shkoja, do të kem shkuar, do të kisha shkuar etj.

-Pjesëza të, që vihet përpara lidhores ose përpara pjesores, shkruhet rregullisht në të gjitha rastet e përsëritjes së trajtave foljore përkatëse bashkë me parafjalët që mund të ketë përpara (për, me):

të jetojmë, të punojmë dhe të mendojmë si revolucionarë etj.; për të studjuar, për të kuptuar dhe për të zbatuar drejt udhëzimet; me të arritur e me të parë gjendjen, ai mori masa etj. (dhe jo: të jetojmë, punojmë dhe mendojmë si revolucionarë; me të arritur e parë gjendjen, ai mori masa etj.).

-Pjesëza duke e përcjellores shkruhet në të gjitha rastet e përsëritjes së kësaj trajte foljore; në raste mohimi, bash me të përsëritet dhe pjesëza mos:

ata shkonin duke kënduar e duke brohoritur; duke parë e duke bërë; duke mos njohur e duke mos marrë parasysh rrethanat etj.

-Pjesëza “pa” përpara pjesores shkruhet rregullisht në të gjitha rastet e përsëritjes së kësaj trajte foljore:

pa u lodhur e pa u përpjekur nuk bëhet gjë; pa punuar, pa ujitur e pa plehëruar mirë tokën, nuk merren prodhime të mëdha.

-Parafjalët në, te (tek), me, nga, prej e të tjera si këto zakonisht përsëriten në shkrim, sa herë që bashkërenditen dy a më shumë emra a përemra, me të cilët ato lidhen:

në pranverë, në verë, në vjeshtë e në dimër etj.; te ilirët, te trakasit e te popujt e tjerë etj.; me të ngrënë e me të pirë; me hekur e me zjarr; me mish e me shpirt; me thonj e me dhëmbë etj.; nga Elbasani, nga Gjirokastra e nga Vlora etj.; prej Himare e prej Mirdite; as në sjelljet, as në fytyrën e tij nuk vërehej shenjë tronditjeje; nga shtati, nga dituria, nga fjala nuk kishte shok etj.

Këto parafjalë mund të mos përsëriten për arsye të caktuara kuptimore ose stilistike:

në fshatra e qytete; me shokë e shoqe; u nisën delegatët nga Shkodra, Durrësi, Berati e Korça; qindra partizanë, me pushkë e mitraloza, u turrën mbi armikun; shkolla jonë socialiste kërkon nga mësuesit e pedagogët një stil të ri pune etj.

Mësuesja e gjuhës shqipe
Lejla Gorishti.

Për të ndjekur mësim plotësues të gjuhës shqipe falas mund të kontaktoni :
Tel : 0675270616 ( Lejla)
Facebook : https://www.facebook.com/lejla.gorishti

Loading...