Pasuritë e sekuestruara janë të 52 vjeçarit Maks Merkaj, i cili u ndalua një vit më parë për akuzën: “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Në njoftimin e policisë thuhet se janë sekuestruar: 5 apartamente banimi; 1 vilë trekatëshe; 1 mjet lundrimi, anije peshkimi; si dhe 4 automjete. Vlera financiare e këtyre pasurive kap vlerën e 1.503.000 euro.
Merkaj ka qenë i dënuar edhe në Itali për “Organizatë kriminale” dhe “Shfrytëzim Prostitucioni e Pengmarrje”.
Deklarata e plotë e policisë:
Sekuestro preventive mbi disa pasuri me vlerë rreth 1.5 milion euro, që dyshohen se janë ngritur me pastrim parash.
Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, zbatuan vendimin penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për vendosjen e sekuestros preventive mbi disa objekte:
• 5 apartamente banimi;
• 1 vilë trekatëshe;
• 1 mjet lundrimi, anije peshkimi;
• 4 automjete.
Këto sekuestrime pasurore janë në kuadër të procedimit penal pro-aktiv të vitit 2018, ndaj shtetasit M.M. si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Vlera financiare e këtyre pasurive kap shifrën rreth 1.503.000 euro.
Vijojnë veprimet e tjera proceduriale, nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë.