Monika Kryemadhi: “U bëjmë thirrje mbështetësve tanë të mos bien pre e këtij skenari dhune të inskenuar nga Edi Rama dhe Sandër Lleshaj”

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ka dënuar incidentin e ndodhur mbrëmjen e sotme në KZAZ-në e Bushatit, në Bashkinë e Vaut të Dejës. Kryemadhi shkruan në “Facebook” se asnjë mbështetës i LSI nuk ka lidhje me këtë ngjarje.

Sipas saj, djegia e materialeve zgjedhore në shkollën “Ndre Mjeda” në Bushat është provokim i Edi Ramës dhe Sandër Lleshajt.

Mesazhi i Kryemadhit:

Dënojmë me forcë djegien e KZAZ në Bushat.

Asnjë mbështetës i Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk ka asnjë lidhje me këtë ngjarje.
Dënojmë me forcë deklaratën kriminale dhe mashtruese të Ministrit të Brendshëm të inkriminuar gjer në fyt, si pjesë e një skenari të parapërgatitur nga qeveria për të tensionuar në mënyrë të qëllimshme dhe të inskenuar situatën.

Së shpejti do i tregojmë me emra e mbiemra këta autorë të këtij provokimi policesk.

U bëjmë thirrje mbështetësve tanë, qindra mijëra qytetarëve të tjerë tu qëndrojnë larg këtyre provokimeve të fëlliqura dhe që të mos bien pre e këtij skenari dhune të inskenuar nga Edi Rama dhe Sandër Lleshaj.

Qeveria do të zhvillojë zgjedhjet e Partisë Socialiste,me KZAZ e Partisë Socialiste në qendrat e votimit të Partisë Socialiste,me komisionerët e Partisë Socialiste,me numëruesit e Partisë Socialiste për ti dorëzuar në fund në KQZ socialiste.

Ne e njohim dhe jemi shumë mirë të informuar për planin kriminal të hartuar nga Edi Rama,personat e ngarkuar me emra të vërteta dhe emrat e rreme, planet operative kohën e fillimit e të mbarimit dhe që ka disa ditë që po tentohet të vihet në jetë por edhe që do të demaskohet shumë rreptë nga ne.

Ky plan është totalisht i dështuar, pavarësisht propagandës konfliktuale , përhapjes së panikut tek qytetarët dhe bizneset private.

Të gjithë tashmë e njohim këtë plan kriminal dhe kush mbyll sytë para tij është bashkëfajtor me të.

LSI dhe e gjithë Opozita e bashkuar do ti mposhtë me fuqinë e pamasë të paqes,masivitetit dhe dashurisë e dhimbjes për vendin që këta kriminelë në qeverisje duan ta shkatërrojnë për interesat e trafiqeve,krimit dhe mafias.

Loading...