Mbyllet edicioni i 21-të i Panairit të Librit, u ekspozuan mbi 200 tituj të rinj

U përmbyll sot edicioni i 21-të i Panairit të Librit. Botuesi Petrit Ymeri, njëherësh edhe kryetar i Shoqatës së Botuesve, ka bërë një përmbledhje të këtij viti, duke pohuar se pritshmëritë janë tejkaluar dhe ka pasur një numër të madh vizitorësh gjatë pesë ditëve që ky panair qëndroi i hapur.

Në edicionin e 21-të të Panairit të Librit, u ndanë 6 çmime.

Çmimi i karrierës ka shkuar për shkrimtarin Kim Mehmeti, për romanin e tij “Pusi”. Çmimi i krijimtarisë më të mirë të vitit ka shkuar për Brajan Sukaj me romanin “Ciklopi”, ndërsa çmimi për përkthimin më të mirë, Donika Omari për romanin “Nga ana e princeshës së vdekur”.

Sa i takon çmimit inkurajues, ai është marrë nga dy shkrimtare, Iva Nikolli dhe Flogerta Krypi, respektivisht me veprat “Vetëm për ty” dhe “Gjithçka rreth asgjësë”. Poeti, Zef Skiro Di Maxho sakaq ka fituar çmimin special për “Poema Arbëreshe”. Kurse çmimin për shqipërim të veprës e ka fituar Ilia Lëngu, për përkthimin nga frëngjishtja të veprës frënge “Të drejtët” nga Albert Camy.

Botuesi Petrit Ymeri, njëherësh kryetar i Shoqatës së Botuesve, thotë se aktivitetet gjatë këtyre ditëve kanë qenë të shumta, për t’iu përgjigjur edhe interesit të lexuesve.

Gjatë ditëve të Panairit, Shoqata e Botuesve organizoi aktivitete e seminare për leximin, problemet e lexueshmërisë dhe si të përmirësohet leximi në Shqipëri.

Panairi i Librit është çelur paraditen e së mërkurës, ku janë ekspozuar rreth 200 tituj të rinj nga 100 ente botuese. Në edicionin e 21-të të Panairit, nuk munguan edhe qindra tituj të zgjedhur, të ribotuar nga letërsia shqipe dhe ajo botërore. Panairi i Librit konsiderohet nga botuesit dhe studiuesit, si mundësia më e mirë për të takuar lexuesin./atsh

Loading...