Gjiri i Hënës në Zvërnec, një mrekulli shqiptare!

Gjiri i Hënës, me një det të pastër dhe i fshehur në ishullin e Zvërnecit, frekuentohet në verë nga pushues të veçantë që preferojnë qetësinë, familjaritetin dhe intimitetin.

Vetë ishulli dhe laguna e tij quhen nga vendasit si “Karaibet shqiptare”, një përcaktim tipik vlonjat, por që i shkon shumë përshtat këtij vendi të bukur. Gjendet pak kilometra larg qytetit të Vlorës, në pjesën veriperëndimore të saj.

Një urë druri rreth 100 metra e ndërtuar rishtas mespërmes kënetës të çon drejt manastirit të vjetër.

Në anën tjetër të ishullit gjendet “Kisha e Shën Triadhës”, një objekt kulti bizantin. I tërë peizazhi krijon një ansambël shumë të bukur natyror, me plot kontraste dhe ku gjenden në harmoni bukuria me qetësinë e këtij vendi.

Përveç bukurisë natyrore, interes të veçantë paraqet për vizitorët Manastiri i Shën Mërisë, i cili ndodhet në ishullin e vogël ku çdo ditë ka vizitorë të shumtë. Manastiri është një ndërtim tipik bizantin i ndërtuar në shek. X-të pas Krishtit.

Murgu i fundit nga manastiri është larguar në vitin 1967, kur në Shqipëri u mbyllën objektet fetare. Për shumë kohë manastiri qëndroi i mbyllur, u plaçkit dhe u dëmtua. Gjatë kohës së komunizmit, ishulli i Zvërnecit shërbeu si vend internimi për kundërshtarët e sistemit dhe manastiri si strehëz e tyre. Pas vitit 1990, manastiri iu rikthye përsëri funksionit të tij fetar.

Sot, ai gjendet i rikonstruktuar dhe shumë interesant për t’u vizituar. Veçanërisht ditën e 15 gushtit, e cila përkon me ditëlindjen e Shën Mërisë. Manastiri dhe gjithë ishulli është i mbushur me vizitorë besimtarë dhe vizitorë turistë të natyrës dhe historisë. Jo vetëm Zvërneci me ishullin dhe Manastirin e tij, por e gjithë zona me lagunën dhe detin, përbëjnë një ekosistem shumë interesant dhe tërheqës për turistët.

Me një sipërfaqe prej rreth 42 km², laguna e Nartës zë gjithë pjesën veri-perëndimore të gjirit të Vlorës dhe ndahet nga deti Adriatik me një rrip të ngushtë toke, i cili përbëhet nga duna ranore dhe plazhe të vegjël. Plazhet intime të Zvërnecit të kujtojnë ato të Karaibeve dhe janë tepër të frekuentuara.

Tashmë jemi në periudhën e verës dhe vizitorët e shumtë preferojnë të shlodhen në brigjet e këtyre plazheve. Zvërneci është listuar në projektin “100 fshatrat”, ndërsa në qarkun e Vlorës, prezanton një investim në një prej fshatrave më piktoreskë e më të vizitueshëm të kësaj zone. /atsh

Loading...