Balla: “Presidenti ngjan si gaztor cirku që argëton të tjerët”

Kreu i grupit parlamentar i PS-së Taulant Balla ditën e sotme ishte i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” prej ku theksoi se deputetët po zbatojnë Kushtetutën dhe do ndjekin të gjitha hapat e nevojshëm për ta arritur te shkarkimi i Presidentit Ilir Meta.

“Shkelja e bërë nga Presidenti minimalisht duhej hetuar. Janë 55 deputetë që kërkojnë shkarkimin, kërkesa duhet çuar deri në fund.

Unë kryesoj listën e 55 deputetëve, jam në ushtrim të drejtë të asaj që njeh Kushtetuta.

Duhet më shumë se ¼ e deputetëve për të iniciuar shkarkimin dhe të gjithë biem dakord se akti i Presidentit e shndërroi Presidencën në një rezisdencë të përkohshme të opozitës, në seli të opozitës”, tha Balla.

Ky i fundit gjithashtu pohoi se ndjen keqardhje për Metën dhe bëri deklaratën e fortë, duke e cilësuar Presidentin “gaztor cirku që argëton të tjerët”:

“Në aspektin personal kam pasur mundësi ta njoh dhe të punojmë bashkë. Ndjej keqardhje njerëzore për atë degradim të pakuptueshëm të retorikës së tij të komunikimit.

Presidenti me aktet e bëra duhet ta lirojë atë zyrë. Ai komunikim publik dhe ky që vijon çdo një orë tregon se ai është larg të qenit President, ngjan si gaztor cirku që argëton të tjerët”.

Loading...