Masa për parandalimin e përmbytjeve në rrugën kryesore Gjirokastër-Tepelenë

Rruga kryesore Gjirokastër – Tepelenë, km 3 pranë liqenit të Viroit nuk do të përmbytet përsëri gjatë stinës së reshjeve.

Prefekti i Gjirokastrës, Astrit Aliaj, tha për ATSH-në se “gjatë një inspektimi në këtë rrugë pamë nga afër situatën lidhur me masat paraprake për sezonin e vjeshtë dimër, që do të fillojnë shirat. Bisedova me drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe me firmën “Salillari”, e cila është e kontraktuar për mirëmbajtjen e këtij aksi kryesor deri në Kakavijë. Ata më njoftuan që është një projekt për fillimin e punimeve për mbylljen e të gjithë kësaj rruge, të këtij segmenti që është mbi liqenin e Viroit, për muret e dëmtuara, të cilat kanë qenë të dëmtuara ndër vite dhe për rritjen e sigurisë”.

“Nga vizita në terren u konkludua në marrjen e disa masave si hapjen e shkarkuesit sipërfaqësor duke hequr shandorët, si dhe me ndërhyrjen e një mjeti gërmues për hapjen e shkarkuesit në trupin e rrugës”, – theksoi ai.

Prefekti tha se “njëkohësisht u kontaktua edhe me inxhinierin e firmës së mirëmbajtjes së rrugës, i cili premtoi që shumë shpejt do të filloj ndërtimi i murit të gurit që kufizon rrugën nacionale me pasqyrën ujore të liqenit të Viroit”.

“Mendohet që më vonë është një plan tjetër që kjo rrugë do të ngelet si shëtitore për qytetin e Gjirokastrës dhe do të bëhet një rrugë tjetër by pass që do të lihet jashtë fare nga Gjirokastra. Ajo do të jetë në përmasat e një ure”, – nënvizoi Aliaj.

Ai u shpreh se “deri sa të zbatohet projekti tjetër, kërkova të fillohet sa më shpejt me qëllimin sigurimin e këtij segmenti, sepse aktualisht ka probleme”.

“Kjo do të shoqërohet edhe me masa të tjera, janë disa nënkalime ku ujërat kalojnë nivelin, të mos dalin mbi rrugë, por që të ulen duke u bërë shkarkimi në portat shkarkuese të saj”, – tha Aliaj./atsh

Loading...