Pallati i Kongreseve është vendi ku po kalojnë në sitë njerëzit e drejtësisë.
Në të njëjtë sallë do të bëhet edhe vettingu në radhët e policisë, i cili do të nis me numrin një, Ardi Veliun, për të vazhduar më pas me Aida Hajna, Gjovalin Loka, Tonin Vocaj dhe Muhamet rrumbullaku.
Vettingu në radhët e uniformave blu, i cili pritet të filtrojë rreth 13 mijë punonjës, ka filluar prej pak ditësh me 45 dosjet e para të drejtuesve më të lartë.
Zv. Ministri i brendshëm, Julian Hodaj, tha se janë 245 dosje në total te drejtuesve të lartë që do të shqyrtohen nga Komisioni I Jashtëm I Vlerësimit.
“Procesi ka vijuar me fazën e parë që janë rreth 245 punonjës të funksioneve dhe gradave më të larta. Janë kërkuar dhe shkëmbyer informacione më të gjitha institucionet. Kini parasysh që bëhet fjalë për një volum të lartë informacioni. Do ishim shumë të lumtur nëse në fund të korrikut do të kishim edhe caktimin e seancave të para dëgjimore”, u shpreh Hodaj.
Janë tre kritere mbi të cilat do të bëhet kontrolli i njerëzve të rendit: ai i pasurisë, i figurës dhe aftësive profesionale.
“Ata që kalojnë të tre kriteret qëndrojnë në detyrë, ata që nuk kalojnë largohen nga detyra, me përjashtim të rasteve kur vihet re tek punonjësi, ndonjë mangësi profesionale, e cila mund të kompensohet shumë mirë nëpërmjet një procesi riformimi dhe ri-specializimi në Akademinë e Sigurisë”, tha Hodaj.
Për vendet e lëna bosh nga punonjësit e policisë në rast të spastrimit nga vettingu, Hodaj dha edhe shpjegimin ligjor.
“Po ka dy mekanizma. Ligji parashikon edhe mundësinë e ish punonjësve që mund të aplikojnë dhe t’i nënshtrohen rivlerësimit dhe për t’u rifutur në Policinë e Shtetit dhe tjetra është Akademia e Sigurisë nëpërmjet rekrutimeve të reja”, tha Hodaj.
Ndërkaq, ende nuk ka një datë konkrete se kur pritet të përfundojë vettingu në radhët e policisë, përveç limit deri në qershorin e 2020 kur pritet të kenë përfunduar të gjitha shqyrtimet për 245 dosjet e drejtuesve më të lartë.
Ata që nuk do të kalojnë dot filtrat, shkarkohen për të mos u kthyer më në polici, ndryshe nga vettingu në drejtësi që ka një limit kohor që gjyqtarët apo prokurorët mund të ri-aplikojnë përsëri.