Ky është 63-vjeçari që ka pajtuar mbi 1000 familje

Ali Januzi nga fshati Pasomë i Vushtrrisë, që në moshë të re, në vitet ’90 iu bashkua grupit të pajtimit të gjaqeve.

Që nga atëherë Januzi ka pajtuar më shumë se 1,000 familje në rrethinën e Vushtrrisë dhe më gjerë.

63-vjeçari Ali Januzi thotë se pajtimi i gjaqeve është një mision që përveç mençurisë kërkon edhe shumë maturi.

“Sa i përket pajtimeve të gjaqeve, qysh në vitet e ‘90-ta, kur ka filluar aksioni për pajtimin e gjaqeve, unë kam qenë në atë lëvizje.

Kuptohet në krye të atyre pajtimeve gjithmonë ka qenë profesori Anton Çetta. Unë kam marrë pjesë me grupin e Vushtrrisë, sepse edhe në këtë komunë ka pasur probleme të ngjashme si në gjithë Kosovën… Për të pajtuar duhet pasur gjithmonë ide, por edhe iniciativë. Kur e di që në fshatin apo lokalitetin tënd ka probleme të tilla secili mund të merr një hap për të provuar pajtimin e dy gjaqeve”, tha për RTV Dukagjinin, Ali Januzi.

Sipas Januzit, momenti i faljes ndërmjet dy familjeve, është akti më i lartë, njëkohësisht ndjenja më e mirë. Ai tregoi edhe për rrugëtimin e vështirë që kishte si pajtues gjaqeve.

“Në ato vite ka qenë një aksion gjithë popullor ku i gjithë populli ka marrë pjesë dhe ku i gjithë populli ka dhënë kontributin e vet. Në saja të asaj jehone dhe në saje të angazhimit të gjithë popullit, aksioni ka pasur sukses të madh. Janë pajtuar mijëra gjaqe”, shtoi Januzi, përcjell Telegrafi.

Ali Januzi disa vite më vonë iu bashkua edhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, periudhë për të cilën është shumë krenar. Ai thotë se kontributi për vendin në çdo mënyrë ka vlerë të madhe.

“Pas 1981 kam vepruar në grupe. Kam qenë në grupin revolucionar. Kemi shkruar parulla, kemi bërë propagandë, kemi mbajtur mbledhje”, thotë pajtuesi i gjaqeve.

Së fundmi Ali Januzi është shpallur edhe qytetar nderi i Vushtrrisë, për kontributin e dhënë në qytetin e tij përgjatë viteve.

“Falënderoj së pari gjithë qytetarët e Vushtrrisë sepse është meritë e tyre së pari. Merita ka edhe Komuna e lëvizja [për pajtimin e gjaqeve]. Po të mos ishte edhe qytetari i Vushtrrisë me forcat e mia ndoshta këtë veprimtari nuk do të kisha mundur ta realizoja”, tha mes tjerash Ali Januzi.

Loading...