Restaurimi i qendrës historike të qytetit të Vlorës, një projekti i rëndësishëm që synon t’i kthejë këtij qyteti shkëlqimin e dikurshëm, po vijon me rimte të larta.
Realizimi i tij është përllogaritur në një vlerë prej 11 milionë eurosh, ku 7 milionë euro do të financohen nga qeveria dhe 4 milionë euro do të financohen nga Fondi Shqiptaro-Amerikan.
Projekti është në funksion të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë, por edhe për t’i dhënë një impuls të ri të ekonomisë së qytetit në funksion të zhvillimit të turizmit. Ndaj veç ndërhyrjeve në godina, nuk po anashkalohen punimet nëntokësore.
Pranvera e ardhshme është koha, kur veç banorëve të Vlorës, këto ndryshime t’i shijojnë edhe turistët.
Kryeministri Edi Rama uroi mirëmëngjes me pamje nga punimet për restaurimin e qendrës historike.
“Mirëmëngjes dhe me këto pamje nga puna në kantierin për rilindjen e qendrës historike të Vlorës, ju uroj një javë të mbarë”, theksoi Rama.
Projekti përfshin restaurimin e 68 banesave, mes të cilave, Shtëpinë e Marigosë, Xhaminë e Tabakëve, Rrugën e Hebrenjve, Sheshin e Sahatit dhe Shtëpinë e Qeverisë.ATSH