Braçe paralajmëron kompaninë kineze: Rindërtoni rrugët!

Zv.kryeministri Erion Braçe ka hedhur akuza ndaj një kompanie kineze, pasi sipas tij, kanë shfaqur mungesë korrektësi në ndërtimin e kanaleve të rrjetit vaditës në zonën e Divjakës.

Braçe i ka bërë thirrje kompanisë në fjalë dhe çdo kontraktori shqiptar që të mbajë përgjegjësi sipas kontratës që ka me institucionet shtetërore duke i rikonstruktuar ato totalisht, ose në të kundërt, Braçe shprehet se do të përballen me një kallëzim.

“Ky vend, nuk do udhëhiqet nga kompanitë por nga kontratat! “Kjo është rruga e fshatit Korie në njësinë Gradisht të bashkisë Divjakë. Siç e shihni ka qenë e shtruar me asfalt!

Kompania që po ndërton kanalet e rrjetit vaditës në drejtim të Zharnecit dhe Adriatikut, e ka shkatërruar!

Detyrimi në kontratë thotë që kompania duhet të ktheje në gjendjen e mëparshme çdo rrugë që dëmton. Në fakt, e ka shkatërruar.

Bashkë me ministrinë e Bujqësisë, bashkinë Divjakë kemi 3 muaj që i kërkojmë kompanisë të rindërtojë këtë rrugë dhe çdo rrugë parcelash që ka shkatërruar me mjetet e rënda.

Për turp, jo vetëm që është vonuar përtej çdo caku por dhe nuk përmbush kontratën në pikën e rindërtimit të çdo gjëje që ka shkatërruar; këtu në Korie ka hedhur çakull mbi gropa të thella e ka ikur! Ndërkohë rruga është shembur e shkatërruar plotësisht!

Kam dy thirrje: e para për kompaninë kineze dhe çdo kontraktor shqiptar të saj: kthehuni dhe rindërtoni rrugët që keni shkatërruar! Kontrata juaj do quhet e përfunduar kur ju të keni rindërtuar çdo rrugë fshati e rrugë parcelash që keni shkatërruar! Ndryshe, unë i pari do ju kallëzoj penalisht.

E dyta për çdo institucion që miraton pagesat dhe merr në dorëzim veprën sipas kontratës: Mos pranoni e mos paguani situacione të rreme! Verifikoni në vend në përputhje me kontratën çdo faturë! Ju që do merrni në dorëzim veprën;

Mos e bëni pa verifikuar në terren detyrimet kontraktuale, funksionalitetin e veprës por edhe përmbushjen e çdo detyrimi sipas kontratës për rindërtimin e çdo rruge të shkatërruar! Ndryshe përgjegjësia ligjore do të jetë shumë e rëndë mbi ju“, deklaroi Braçe.

Loading...