U kthye në tragjike fundjava që familja Sallaku kishte vendosur të kalonte në kanionin e Holtës.
25-vjeçarja Desantila Sallaku humbi jetën dhe u shpëtuan në minutat e fundit familjarë të saj, dhe turistë mes tyre dhe fëmijë të mitur.
Si pasojë e rrymave të shtuara të ujit dhe në mungesë të guidës turistët përjetuan momente tmerri, deri në mbërritjen e ekipit të zjarrfikësve nga Gramshi.
Në një lidhje telefonike me Fax News, shefi i zjarrfikësve të Gramshit Ilir Llapushi ka treguar operacionin e shpëtimit që ndodhi brenda kanionit të Holtës.
Ai u shpreh se fillimisht u synua të shpëtoheshin fëmijët, dhe më pas gjetën vëllain e 25-vjeçares Sallaku, të kapur pas një shkembi, pasi nuk ia kishte dalë që të shpëtonte të motrën.
Llapushi vijoi më tej duke thënë se prania e fëmijëve brenda kanionit duhet të jetë e ndaluar, për shkak se aty nuk ka asnjë element sigurie, që mund të garantojë jetën e tyre. Sipas tij mund të vendoset përkohësisht për mbylljen e Kanionit të Holtës, dhe moslejimin e turistëve për ta vizituar në një mbledhje që do të ketë nesër Shtabi i Emergjencave.
“Ishte e pamundur që të futeshim fillimisht, më pas hymë brenda dhe shpëtuam disa fëmijë, më tej gjetëm, burrin 55-vjeçar, që ishte mik i familjes Sallaku. Në atë vend ku ishte 25 vjeçarja do të ishte e vështirë të shpëtonim edhe ne që jemi trajnuar, pasi rrjedhja e ujit është shumë e fortë. Vëllain e saj e gjetëm të kapur pas një shkëmbi.
Guidat turistike nuk duhet ti fusin turistët brenda kanionit, kur koha nuk është e mirë, do mblidhet shtabi i emergjencave, për të parë si do të veprohet më tej, për lejimin e turistëve që të hyjnë brenda kanionit.
Kur lumi vjen ka shumë forcë dhe nuk do të hynin në punë as jelekë e shpëtimit. Nuk duhet të lejohen në mënyrë absolute që fëmijët e vegjël të merren brenda në kanion. Problemi qendron jo vetëm të guidat, por edhe te vetë familjarët që vijnë me mjete personale dhe frekuentojnë këtë pikë turistike”, u shpreh Llapushi.
Desantila Sallaku së bashku me familjen e saj kishte planifikuar këtë fundjavë pushimi, pak para se të nisej drejt Gjermanisë, ku do të punonte si inferimere, plan ky i lënë në mes nga ngjarja tragjike e ndodhur.