Incidentet kanë rikthyer vëmendjen tek siguria e bombolave të gazit që gjenden në treg dhe që përdoren në masë nga familjarë e biznese.
Inspektorët thonë se gabimet më të shpeshta bëhen me instalimin e bombolave, ndërsa një pjesë e madhe e tyre janë të pakolauduara.
Riza Dokaj: Instalimi i bombolave në subjekte të cilat janë jo familjarë, sigurisht edhe familjarë, duhet të kryhet nga instalues të cilët janë të licensuar për këtë. Një bombol e cila është e kolauduar e ka të përcaktuar saktë datën e kolaudimit, peshën dhe datën e përfundimit të kolaudimit.Është e ndaluar në mënyrë kategorike që ta çojnë në stacione karburanti për ta mbushur sepse stacionet e karburamntit janë vetëm për mbushjen e automjeteve. Shpesh herë qytetarët blejnë nga bombolat 3-5 litërshe ngjyrë portokalli që janë një përdorimëshe, përdoren për kampingje dhe nuk lejohet të përdoren në ambjente të brendshme.
Riza Dokaj, inspektor pranë Inspektoriatit Shtetëror Teknik dhe Industrial, thotë se të tilla ngjarje mund të evitohen vetëm nëse qytetarët tregohen të kujdesshëm.
Riza Dokaj: Qytetarët duhet të ndërgjegjësohen dhe të blejnë sinjalizues gazi, dedektor. Ai jep alarmin, mbron jetë njerëzish. Kurse në subjekte të tjera që janë të regjistuara është detyrë ligjore, jo vetëm bombolat por të gjitha pajisjet duhet ti regjistrojë dhe deklarojë te Inspektoriati Shtetëror Teknik.
Inspektoriati Shtetëror Teknik dhe Industrial që prej muajit janar ka kryer rreth 1 mijë inspektime në subjektet e tregtimit të lëndëve djegëse dhe paisjeve nën presion.
Vetëm për muajin qershor janë vendosur gjoba ndaj 6 subjekteve.