Monitor ka përpunuar të dhënat e Eurostat lidhur me dhënien e shtetësive nga anëtarët e saj për Shqipërinë, duke filluar që nga viti 2002, kur figuron dhe dhënia e pasaportave të para.
Në total, nga viti 2002 deri në 2017-n janë dhënë gjithsej 391 mijë shtetësi për shqiptarët që jetojnë në vendet e BE-së. Nga rreth 1.2 milionë emigrantë që vlerësohet të kenë ikur deri në 2015-n (përpara se të fillonte cikli i ri i emigracionit), rezulton se rreth 305 e tyre e kanë marrë tashmë një pasaportë (këtu përfshihen në fakt dhe fëmijët që kanë lindur në një nga shtetet e BE-së)
Nga viti 2008, gjithnjë e më shumë shqiptarë kanë arritur të marrin pasaportë, për të kulmuar në 2016-n, me 67.6 mijë dhe në 2017-n, me 58.9 mijë të tilla.
Italia dhe Greqia janë dy shtetet fqinjë, që jo vetëm hapën dyert për emigrantët në fillim të viteve ’90, por tashmë gjithnjë e më shumë po u japin të drejta të plota atyre.
Greqia ka dhënë në periudhën 2002-2017 rreth 180 mijë pasaporta, ose 46% të totalit të dhënë nga gjithë BE në 15 vitet e fundit. Numri më i lartë i tyre është dhënë në 2016-2017, përkatësisht me 28.5 dhe 29.5 mijë.Në vend të dytë, me 175.6 mijë pasaporta, ose 45% të totalit renditët Italia.Vetëm këto dy shtete kanë dhënë 91% të totalit të pasaportave për periudhën 2002-2015.
Italia ka dhënë më shumë pasaporta në vitet 2015-2016 (përkatësisht 35 dhe 37 mijë), ndërsa në 2017-n, numri i tyre ra ndjeshëm në 27 mijë, duke reflektuar një shtrëngim të dhënies së nënshtetësisë nga ky shtet.
Pas Greqisë dhe Italisë, shteti i tretë ku shqiptarët kanë arritur të marrin më shumë pasaporta është Mbretëria e Bashkuar, me 11.5 mijë, ose 2.9% të totalit.
Ku shtet ka dhënë më shumë shtetësi në periudhën 2009-2012 (me rreth 1,200) dhe më pak numri i tyre ka rënë ndjeshëm, në rreth 315 në 2017-n.
Në vend të katërt është Gjermania, me rreth 6100 pasaporta, me rreth 350-350 pasaporta në vit. Interesat është fakti që Gjermania është vendi që akordoi më shumë shtetësi për shqiptarët në 2002, kur figurojnë dhe pasaportat e para, me 704 të tilla, e dyta pas Maqedonisë, që dha 904 pasaporta për shqiptarët në vitin 2002.Belgjika renditet në vend të pestë me rreth 5600 pasaporta, me nivelin më të lartë që u arrin në 2017-n, me 571 të tilla.Franca, e gjashta, dha më shumë pasaporta në 2016-n (356) dhe i uli me 21% vitin në vijim. Në total ka dhënë rreth 3,700 të tilla.
Nga shtetet jo anëtare të BE-së, më shumë pasaporta për shqiptarët ka dhënë Maqedonia, me rreth 1300 të tilla, për periudhën 2002 deri në 2007-n, më pas numri i tyre është zero.
Rekord në Ballkan
Shqipëria rezulton të ketë pasur tranzicionin më të vështirë të pas viteve ’90 në ballkan sa i përket emigracionit. Për shkak të numrit të lartë të të ikurve në vendet e BE-së dhe pasaportat që ata kanë arritur të marrin janë shumë më të larta se fqinjët, ndonëse disa prej tyre kanë popullsi më të lartë se tonën.
Për shtetasit e Maqedonisë, nga vendet e Bashkimit Europian dhe nga Zvicra janë dhënë gjithsej 113 mijë pasaporta për periudhën 2002-2015, ky kryesojnë Zvicra dhe Italia.
Në Serbi, janë dhënë 177 mijë pasaporta, ku rekordin e mbajnë Gjermania dhe Franca.
Edhe për shtetasit e Bosnjës, e cila ka vuajtur një konflikt të përgjashëm pas viteve ’90 janë dhënë gjithsej 217 mijë pasaporta në 15 vitet e fundit, kryesisht nga Austria, Zvicra, Maqedonia.
/Monitor.