Shteti shqiptar ka përfituar 2.6 milionë dollarë nga kompania e Sigurimit për mashtrimin nga ana e kompanisë DH Albania, për ndërtimin e lotit të parë tek “Shqiponja” në projektin e Unazës së Re.
Në gjykatën e Shkallës së parë Tiranë, shteti shqiptar përfaqësohej nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, që fitoi në këtë seancë 2.6 milionë dollarë, pasi kontrata e DH dhe ARRSH-së ishte nën garancinë e një kompanie sigurimi, e cila do të paguajë dëmet që kanë ardhur nga kontrata.
Autoriteti Rrugor Shqiptar kishte paditur në Gjykatën e Shkallës së parë shoqëritë e sigurimit “Sigma sh.a” dhe “Sigal sh.a”, duke kërkuar prej tyre:
Përmbushjen e detyrimit në pagimin e shumës së siguruar nga bashkimi i operatorëve ekonomik “Biba X shpk + DH Albania shpk”, degë e shoqërisë së huaj si detyrim kontraktor në zbatimin e kontratës me Nr. 7732/5, dt. 02.11.2018 për objektin “Rehabilitimi i segmentit rrugor Pallati me Shigjeta – Rrethrrotullimi Shqiponja”, masën 269 574 000 lekë.
Pas provave dhe argumenteve të paraqitura nga juristët e ARRSH, gjykata ka dhënë vendimin e saj, duke pranuar tërësisht padinë e bërë sipas objektit të kërkesë padisë.
Në këtë mënyrë shtetit shqiptar jo vetëm që nuk i është shkaktuar asnjë dëm ekonomik nga situata e krijuar në këtë projekt prej shoqërisë “Biba X shpk + DH Albania shpk”, por do të arkëtohen edhe rreth 2.6 milionë USD si dëmshpërblim nga kompanitë e sigurimit.
/m.m/