“Referuar deklaratës fillestare të 2013 dhe të vitit 2017, subjekti Xhezair Zaganjori është i pasaktë në deklarimin e sipërfaqeve, vlerës dhe burimit të këtyre pasurive të paluajtshme.
Ai nuk arrin të justifikojë pasuritë. Për rrjedhojë ka kryer deklarim të pasaktë”, tha relatorja e seancës Albana Shtylla.
Pasuri si shtëpia, një dyqan, garazhi dhe një bibliotekë ishin gjetur me probleme nga verifikimi i Komisionerit Publik.
Ndërsa vetë Zaganjori, që në këtë seancë të Kolegjit të Apelit nuk ishte i pranishëm, është mbrojtur më herët duke thënë se ajo ishe pronë e bashkëshortes ndërtuar në 1997 kjo e dokumentuar edhe me foto gjatë ndërtimit e banimit ndër vite aty.
Ishte Komisioneri Publik, që ankimoi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që e konfirmoi në detyrë, duke kërkuar shkarkimin e Xhezair Zaganjorit.
Komisioneri Florian Ballhysa është shprehur më herët se Zaganjori nuk justifikon pasurisë, ndërsa vetë Zaganjori edhe pse jo i pranishëm sot në seancë, më herët ka hedhur poshtë pretendimin duke kërkuar konfirmimin në detyrë.
Kryegjyqtari u konfirmua me mundim në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vetingut, në 24 korrik 2018. Në 6 gusht të 2018, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i kërkoi Komisionerit Publik të ankimonte vendimin e KPK, duke kërkuar shkarkimin e Zaganjorit nga detyra, me argumentin se ka shkelur rregullat dhe ligjet në fuqi në raport me pasurinë. Komisioneri Publik, në bazë të rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Monitorimit shkarkimin të Zaganjorit, për shkak të pasaktësive në deklarimin e pasurisë, kontratave fiktive, mospagimin e taksave, mosjustifikimin e shpenzimeve me të ardhura të ligjshme etj.
Gjatë shqyrtimit gjyqësor, Zaganjori ka paraqitur pranë Kolegjit të Apelimit 23 prova të reja, për justifikimin e pasurisë.