Rënia e Murit të Berlinit ndodhi prej një gabimi
Në një konferencë shtypi mbrëmjen e 9 nëntorit 1989, anëtari i byrosë politike të Gjermanisë Lindore, Gynter Shabovski shpalli në mënyrë të parakohshme se do të hiqeshin kufizimet e vizave të udhëtimit. Kur u pyet se kur do të vihej në zbatim politika e re, ai tha: “Menjëherë, pa vonesë”.
Në fakt, kjo politikë do të shpallej një ditë më vonë dhe do të kërkonte gjithësesi një procesë të gjatë aplikimi për gjermano-lindorët. Përgjigjet konfuze të Shabovskit dhe raportimi i gabuar në media se pikat kufitare ishin hapur, shtyu mijëra gjermanë të Berlinit lindor që të shkonin drejt Murit të Berlinit.
Në postbllokun e Rrugës Bornholmer, Harald Jager, oficeri në detyrë, u përball me një turmë që sa vinte e rritej në numër. Edhe irritimi sa vinte e shtohej.
Duke marrë fyerje, në vend të udhëzimeve, prej eprorëve të tij, si dhe tejet nervoz për shkak se priste të merrte të nesërmen rezultatet e analizave të diagnostikimit për kancer, Jager e hapi pikën kufitare me mendjen e. tij, dhe pikat e tjera ndoqën shumë shpejt shembullin e tij.
Muri i Berlinit ishte ngritur më shumë se 15 vjet pas nisjes së Luftës së Ftohtë
Më shumë se 2 milion gjermano lindorë, shumica punëtorë dhe profesionistë të aftë, u larguan për në Perëndim mes viteve 1949 dhe 1961. Bashkimi Sovjetik kishte refuzuar kërkesën fillestare të Gjermanisë Lindore për të ndërtuar Murin në vitin 1953, por me dezertimet drejt Berlinit Perëndimor që po arrinin numrin 1000 njerë në ditë, në verën e 1961, udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushovi më në fund pranoi. Banorët e Berlinit u gdhinë mëngjesin e 13 gushtit 1961, përballë telave me gjemba që ishin vendosur në vijën ndarëse mes zonës perëndimore dhe lindore të qytetit. Disa ditë më vonë, Gjermania Lindore nisi fortifikimin me beton të kësaj barriere.
Muri i Berlinit ishin në fakt dy mure
Në fakt Muri i Berlinit përbëhej nga dy mure mes të cilëve ndodhej “rripi i vdekjes”, ku ndodheshin me qindra kulla roje, disa kilometra hendeqe kundër kalimit të mjeteve, qen roje, prozhektorë dhe mitralozë.
Më shumë se 100 njerëz gjetën vdekjen në përpjekje për të kaluar Murin
Qendra e Kërkimeve mbi Historinë Bashkëkohore Potsdam dhe Qendra e Memorialit të Murit të Berlinit dhe Dokumentimit raportojnë se të paktën 138 njerëz u qëlluan për vdekje, pësuan aksidente fatale ose kryen vetëvrasje pas përpjekjeve të dështuara për t’u arratisur përmes Murit të Berlinit. Të tjerë studime thonë se numri i viktimave është edhe më i lartë. Viktima e parë ishte Ida Siekman, që vdiq në 22 gusht 1961, pasi u përpoq të hidhej në një rrugë në Berlinin Perëndimor, e cila ndodhej nën dritaren e apartamentit të saj në katin e katërt, në Berlinin Lindor. Tragjedia e fundit ndodhi në mars 1989, kur një i ri gjermano-lindor që përpiqej të fluturonte mbi mur me balonë, ndeshi në kabllot e tensionit të lartë.
Më shumë se 5000 persona u arratisën, duke kaluar mbi dhe nën Murin e Berlinit
I pari dezertor që u arratis përmes Murit ishte roja kufitare 19 vjeçar, Konrad Shuman, i cili është përjetësuar në film teksa kërcente mbi telat me gjemba, vetëm dy ditë pasi kufiri ishte mbyllur. Ndërkohë që Muri u fortifikua gjithnjë e më shumë, edhe planet e arratisjes u bënë më të sofistikuar. Të arratisurit fshiheshin në pjesë të fshehta të makinave të berlinezo perëndimorëve që vinin për vizita, gërmonin tunele të fshehta dhe zvarriteshin nëpër tubacione. Tre vëllezërit Bethke realizuan arratinë më spektakolare. Vëllai më i madh Ingo u arratis me një dyshek me ajër, duke lundruar nëpër lumin Elbë në vitin 1975, dhe tetë vjet më vonë vëllai më i vogël kaloi mbi mur përmes një kablli çeliku që e lëshoi me hark dhe shigjetë, duke përfunduar në një çati shtëpie në Berlinin perëndimor. Në vitin 1989, dy vëllezërit fluturuan me një avion super të lehtë mbi mur, duke marrë edhe vëllanë e tretë, Egbert.
John F. Kennedy u shpreh i çliruar kur u ngrit Muri
Në qershor të vitit 1961, Hrushovi paralajmëroi presidentin amerikan, Kennedy, se do të bënte bllokadë Berlinit Perëndimor nëse nuk largoheshin forcat perëndimore, një akt luftënxitës që do të shpinte në luftë. Kur Kennedy dëgjoi lajmin se komunistët kishin ngritur mur përreth Berlinit Lindor, në vend që të shkëpusnin Berlinin Perëndimor nga pjesa tjetër, ai i tha një ndihmësi: “Nuk është zgjidhje shumë e mirë, por një mur është shumë më mirë se sa një luftë. Ky është fundi i krizës së Berlinit. Pala tjetër u kap prej panikut – jo ne. Tani nuk do të bëjmë asgjë, sepse nuk ka alternativë tjetër veç luftës”.
Kennedy nuk u tha berlinezëve se është një “kulaç me karamele”
Në 26 qershor 1963, Kennedy iu drejtua një turme para Murit të Berlinit: “Ich bin ein Berliner”. Presidenti kish për qëllim të shprehte solidaritetin me qytetarët e Berlinit, duke thënë se ishte njëri prej tyre, por disa kritikë thanë se duke shtuar nyjen “ein”, ai në fakt e quajti veten kulaç me karamele, që në pjesën më të madhe të Gjermanisë njihet si “Berliner”. Megjithatë, gjuhëtarët thonë se presidenti nuk bëri një gabim gramatikor, sepse “ein” është e nevojshme kur folësi është duke folur në mënyrë figurative, se i përket një kombësie të caktuar, siç edhe po ndodhte me Kennedyn. Veç kësaj, kulaçi që në gjithë Gjermaninë njihet si “Berliner”, në vetë Berlinin njihet si “pfannkuchen”, kështu që ata që e dëgjonin me siguri nuk janë ngatërruar.
Gjermania Lindore e quajti Murin “Mburoja Antifashiste”
Qeveria e Gjermanisë Lindore pretendoi se e ngriti Murin e Berlinit për të mbajtur jashtë fashistët, spiunët dhe idetë perëndimore. Dy javë pasi urdhëroi ngritjen e “Mburojës Antifashiste”, udhëheqësi Gjermano lindor Valter Ulbriht deklaroi: “Ne kemi mbyllur të çarat në shtëpinë tonë, si dhe vrimat përmes të cilave do të zvarriteshin armiqtë e popullit gjerman”.
Porta e Brandenburgut ka qenë dikur pjesë e një muri të shekullit 18
Mbreti i Prusisë, Frederik Uilliam II porositi ngritjen e harkut të famshëm që bashkon Berlinin lindor dhe perëndimor dhe që ka shërbyer si sfond i fjalimeve të famshme presidenciale të Kennedyt dhe Reaganit. Kur u përfundua në vitin 1791, Porta e Brandenburgut ishte pjesë e murit origjinal doganor të qytetit.
Një copë e Murit ndodhet në banjën e një kazinoje në Las Vegas
Shkatërrimi zyrtar i Murit të Berlinit nisi në verën e vitit 1990. Më shumë se 40 mijë copa të Murit u ricikluan si materiale ndërtimi të përdorur në projekte rindërtimi në Gjermani, por disa qindra prej tyre u shitën dhe tani janë të shpërndara në të gjithë globin, nga kopshtet e Vatikanit deri në një banjë në Main Street Station Casino, në Las Vegas, ku vendurinimet janë kapur pas një Muri të mbuluar me grafit që është i mbrojtur pas një xhami.
History.com – Bota.al