Pra përfundimisht gjykatat kanë rënë, drejtësia ka rënë dhe në vend të drejtësisë së re të reformës kemi një anti-drejtësi, faktet e të cilave flasin vetë”, tha drejtuesi i lartë i LSI
Ja deklrata e plotë e Petrit Vasilit:
Të nderuar qytetarë dhe qytetare, jemi në këtë komunikim së bashku për të ndarë disa shqetësime madhore që kanë tronditur vendin, por kanë treguar qartë se në ç’rrugë pa krye dhe sesi është shembur shteti ligjor, shteti i së drejtës, ai për të cilin Shqipëria ka pasur dhe ka kaq shumë nevojë, dhe pa të cilin nuk mund të ekzistojë.
Dy vendimet e Gjykatës së Durrësit për votimet moniste të Bashkisë së Durrësit ishin prova më e qartë dhe më e mjaftueshme për të kuptuar e për të vulosur që shteti ligjor në Shqipëri ka rënë. Edhe qytetari më i fundit shqiptar, por dhe qytetari më i fundit në glob di shumë mirë që çdo vendim i një gjykate mund të ankohet në një gjykatë më të lartë.
Vetëm në Shqipëri, në kohërat e reformës në drejtësi, pra që do të ishin kohërat e zbatimeve më rigoroze të ligjit, u verifikuan pikërisht faktet skandaloze, tronditëse që nuk kanë ndodhur as në ditët më të rënda të drejtësisë shqiptare. Kapja e drejtësisë nga rilindja imponon gjykatat që ato të bëhen si ambiente han pa porta, ky hynë dhe dalin interesat e rilindjes, e cila duke i kapur për fyti mund të marrë 2, 3, 10 vendime në një ditë. Pra përfundimisht gjykatat kanë rënë, drejtësia ka rënë dhe në vend të drejtësisë së re të reformës kemi një anti-drejtësi, faktet e të cilave flasin vetë.
Sigurisht, ne jemi të keqardhur, por dhe të shqetësuar për heshtjen shumë të rëndë të ndërkombëtarëve që kanë duartrokitur reformën në drejtësi përpara fakteve të tilla shumë të rënda, skandaloze, të cilat nuk verifikohen as në zonat më të prapambetura të globit. Në çdo cep të globit ku ka gjykata ka vetëm një parim që vendimi i një gjykate apelohet në një gjykatë më të lartë. Në gjykatat e rilindjes të Shqipërisë, për të njëjtën çështje, mund të jepen 10 vendime nga i njëjti nivel gjykate.
Përfundimisht, kjo situatë e ka shndërruar drejtësinë shqiptare në këtë derexhe ku gjykatat janë shndërruar thjesht dhe vetëm në landfillin e votimeve moniste, ku Edi Rama riciklon pisllëqet elektorale dhe politike të tij dhe kjo është shumë, shumë e rëndë. Praktikisht Shqipëria është në një krizë me të cilën nuk është ndeshur kurrë më përpara, qoftë për thellësinë e saj, qoftë dhe për sa e rëndë është ajo, në planin juridik të shtetit të së drejtës, në planin politik dhe në planin shoqëror. Pasi ka krijuar të gjitha premisat dhe po përvijohet dhe një rrënim ekonomik i pashembullt nëpërmjet vjedhjes me PPP-të. Sot Shqipëria ka të rrezikuar si asnjëherë më parë, pra të rrezikuar deri në kufijtë e humbjes së shpresës, për sa i takon integrimit Europian dhe sigurisht që kjo krizë e cila po e fundos vendin duhet të marrë fund sa më parë. Momenti më i rëndësishëm politiko kushtetues, momenti i cili është hapi i parë i zgjidhjes së krizës është pikërisht 13 tetori, dita e zgjedhjeve e dekretuar nga Presidenti i Republikës. Kjo ditë, do duhet të shërbejë si momenti i daljes përfundimtare nga kriza dhe futjes drejt një normaliteti politik për të cilën vendi ka nevojë dhe ndaj kësaj date nuk mund të ketë asnjë shmangie nga askush, nga asnjë parti apo institucion. Çdo shmangie do të ngarkonte këdo me përgjegjësi tepër të rënda për vendin.
Pasi vendi në 13 tetor do të merrte zgjidhje, vendi në 13 tetor do t”u jepte një sinjal shumë të fortë europianëve, në mënyrë që 19 tetori të mos ishte dita e mbylljes së perspektivës të integrimit europian dhe për 20 vjet të tjera por do të ishte dita e hapjes së perspektivës. Pasi të gjithë shqiptarët duhet ta dinë dhe ta kenë shumë të qartë, mbyllja e kësaj rruge, të integrimit Europian, do të thotë izolim dhe mjerim ekonomik. Një vend i izoluar është një vend që zhytet në mjerim ekonomik dhe ku një grusht oligarkësh dhe pushtetarësh do të shndërrohen në miliarderë, siç janë shndërruar, ndërsa mjerimi i njerëzve të cilët nuk do të kenë mundësi as të ushqehen dhe të plotësojnë vaktet e tyre do të jetë një realitet. I bëjë thirrje nga sot, në mënyrë të qartë, publike dhe të fortë KQZ-së, të mos rëndojë në mënyrë të mëtejshme pozitën shumë të rëndë anti-ligjore ku ka hyrë. Të shpallë hapjen e procedurave për regjistrimin e zgjedhjeve të 13 tetorit dhe ku të gjithë partitë të kenë mundësi të përvijojnë regjistrimin e tyre në këto zgjedhje dhe krijimin e të gjitha kushteve për mbajtjen e tyre pasi këtë datë, 13 tetorin nuk e ndal dot kush.
Ligjin nuk e ndal dot kush dhe gjithë opozita shqiptare është në këmbë për të kërkuar deri në fund zbatimin e ligjit dhe për të vënë përpara një përgjegjësie shumë të rëndë ligjore, publike, morale, shoqërore, më të gjitha format e saj në mënyrë që shqiptarëve të mos ju hiqet e drejta për të votuar në mënyrë të drejt, të lirë dhe kushtetuese. Prandaj, koha është sot. Çdo sekondë e kaluar është vonë. Çdo sakrificë nuk është asgjë përpara këtyre objektivave madhore siç është vota e lirë dhe integrimi europian. Çdo tavolinë dialogu nuk është asgjë, nuk është asnjë sakrificë por është një detyrim. Pra çdo instrument që na çon tek kjo zgjidhje e shpejtë dhe efikase, është pikërisht ajo që duan dhe ajo që presin shqiptarët. Faleminderit të gjithëve!