Sarandë – AKU asgjëson 7.6 ton ushqime të skaduara

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ka bërë me dije se ka asgjësuar pas ribllokimit në Sarandë, sasinë e produkteve me origjinë shtazore të kapura në Vollodër.

Me anë të një postimi në faqen zyrtare të saj në rrjetin social Facebook, AKU bëri me dije se ka ushtruar të gjithë autoritetin e tij konform ligjit, duke siguruar koordinimin dhe në bashkëveprim me Inspektoriatin e Mjedisit, ka mundësuar asgjësimin e sasisë së bllokuar.

Postimi i plotë:

AKU NË BASHKËPUNIM ME INSPEKTORIATIN E MJEDISIT SARANDË, ASGJËSON PAS RIBLLOKIMIT SASINË ME USHQIME TË SKADUARA

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ushtruar të gjithë autoritetin e tij konform ligjit, duke siguruar koordinimin dhe bashkëveprimin me Inspektoriatin e Mjedisit, Bashkia Sarandë, për të mundësuar asgjësimin e produkteve të skaduara që u ribllokuan një ditë më parë nga AKU, ditën e sotme në Vollodër, zonë e vënë në dispozicion nga Bashkia Sarandë për asgjësimin e mallrave me origjinë shtazore.

Shëndeti dhe interesi i konsumatorëve nuk mund të cënohen nga papërgjegjshmëria e Operatorëve të Biznesit apo strukturave të tjera, ndaj AKU mori të gjitha masat e nevojshme që produktet e skaduara prej vitesh të asgjësoheshin, duke mos kërcënuar më asnjë konsumator, jo vetëm të Sarandës, por edhe më gjerë në vend. Tashmë, falë bashkëpunimit të frytshëm të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit me institucionet e tjera ligjzbatuese, u bë i mundur asgjësimi i produkteve të ribllokuara ditën e djeshme në subjektin “Arben Mehmeti”, duke pastruar kështu tregun nga produkte të cilat përbënin rrezik serioz për Sigurinë Ushqimore.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vijojë punën rigoroze për të garantuar Sigurinë Ushqimore në vend, duke mbajtur pastër tregun e brendshëm nga produkte të pasigurta për konsum, si dhe duke siguruar të gjithë konsumatorët për produktet që konsumojnë.

Siguria Ushqimore është sfida e përbashkët!

Loading...