Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, mori pjesë në Ceremoninë e Betimit dhe Certifikimit të 121 rekrutëve të Kursit të Stërvitjes Individuale Bazë (SIB), nga të cilët 6 ishin femra dhe certifikimit të 97 ushtarëve të Kursit të Stërvitjes Individuale të Avancuar (SIA), në specialitetet “Këmbësori”, “Logjistikë”, “Polici Ushtarake” dhe “Ndërlidhje”, nga të cilët 3 ishin femra, ceremoni që u zhvillua në mjediset e Shkollës së Trupës, Bunavi, Vlorë.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, pasi iu uroi suksese të mëtejshme rekrutëve dhe ushtarëve të sapocertifikuar, falënderoi për profesionalizmin dhe punën e bërë nga oficerët dhe nënoficerët e SHT, për stërvitjen e rekrutëve dhe ushtarëve. “Njohuritë e fituara këtu në Bunavi, rregullin, disiplinën, punën me teste dhe standarde duhet t’i vini në zbatim në repartet e Forcave të Armatosuraö ku ju do të shërbeni. Të mbash uniformën e nderuar të Forcave të Armatosura dhe t’u përkushtohesh atyre është shërbimi më i madh që së bashku mund t’i bëhet Atdheut tonë të përbashkët”, u shpreh ndër të tjera gjeneral brigade Kollçaku.
Për rekrutët, ushtarët, nënoficerët dhe oficerët, të cilët gjatë kursit janë dalluar për arritje të larta në disiplinë, në stërvitje si dhe në jetën e përditshme në repart u ndanë certifikatat vlerësimi.
Në përfundim të aktivitetit, u zhvillua Ceremonia e Betimit Ushtarak me ushtarët e sapocertifikuar. dhe u be një foto e përbashkët me të gjithë pjesëmarrësit në ceremoni.