Me ndezjen e sinjalit edhe në pikën e Milesë, veç pikave të Shën Vasisë dhe Ksamilit, Saranda dhe Delvina mbulohen tëresisht nga sinjali i RTSH. Prej datës 1 Gusht, kur skaji jugor është në kulmin e sezonit turistik, transmetimet e RTSH vijnë me cilësi më të lartë në ekranet e banorëve të rrethit të Sarandës dhe zonave përreth. Përmes platformës dixhitale të RTSH banorët dhe pushuesit e shumtë nga gjithë vendi dhe ata që vijnë nga Kosova e Maqedonia, kanë mundësi të ndjekin të 24 kanalet e platformës së RTSH, 14 kanale të RTSH, kanalet gjeneraliste dhe ato tematike si edhe 10 kanale të tjera që mbështeten në këtë platformë, të gjitha pa pagesë.
Përftimi i kanaleve të platformës së RTSH është fare i thjeshtë. Mjafton një marrës dixhital DVB T2 i RTSH, i cili gjendet në të gjithë pikat e shitjes së Postës Shqiptare në të gjithë vendin, për ata që kanë një televizor të vjetër në kohë. Me këtë dekoder shikuesit, mund të ndjekin edhe kanalet kombëtare që transmetojnë në këtë zonë, si Klan dhe Vizion Plus. Ndërsa në rastet e apareteve televizive më të rinj me dekoder DVB T2 të inkorporuar, çdo banor mjafton vetëm të ndezë televizorin dhe të bëjë kërkimin automatik dhe atij do ti listohen të gjithe kanalet e mësipërme.
Kujtim Hysko, teknik transmetimi në RTSH shpjegon se me mbulimin e plotë të Sarandës me sinjalin e RTSH, banoret do të gjejnë një varietet programesh në cilësinë më të lartë të figurës dhe zërit.
“E gjithë zona e Sarandës mbulohet në mënyrë të përsosur. Sinjali është shumë i mirë, i kontrolluar në gjëndjë shumë të mirë.”
Me të bërë kërkimin në ekran do të renditen të gjitha kanalet duke nisur me 3 kanalet gjeneralsiste RTSH1, RTSH2 dhe RTSH3 dhe ata tematike, si filmat e dedikuar për të gjitha grupmoshat, lajmet e fundit nga vendi dhe bota 24 orë në ditë, programe për fëmijë dhe të rinj, muzikë shqiptare dhe sport për të gjithë sportdashësit, platforma e RTSH është ajo çfarë plotëson argëtimin tuaj në shtëpi. Banorët e Sarandës të pyetur thonë se janë të kënaqur me programet që ofron RTSH.
Me mbulimin e plotë të Sarandës, RTSH ka mbyllur nje investim të rëndësishëm të ndertimit të rrjetit të saj dixhital në të gjithë vendin. Në 1 shtator, sinjali analog do të fiket në dy alotmente, në atë të Tiranës dhe Vlorës, ku përfshihet edhe Saranda. Për këtë qëllim, është e rëndësishme që banoret e këtyre zonave, të cilet nuk kanë një aparat televizori me dekoder DVB T2 të inkorporuar të pajisen me marrësin dixhital të RTSH që e gjejnë në të gjitha pikat e Postës Shqiptare për të ndjekur kanalet televizive të RTSH, ata kombëtare dhe ata lokale që mbështeten në platformën televizive të Radio Televizionit Shqiptar. Të gjitha pa pagesë./atsh