Korçë – Për të 12-in vit radhazi “Festa e lakrorit”

Lakrori me dy petë i pjekur në saç, një prej gatimeve më të veçanta të zonës së Korçës, për të 12-in vit radhazi është ofruar për të apasionuarit e kulinarisë përmes “Festës së lakrorit”.

Mbrëmja e së shtunës mblodhi në fshatin Polenë të Korçës me qindra qytetarë korçarë e jo vetëm, por dhe vizitorë nga qytete të tjera si edhe turistë të huaj në këtë festë.

Mes tavolinave dhe shijimit të lakrorit nuk mungoi as muzika, përbërësi kryesor i çdo feste.

Për mbi 4 orë, amvisat polenake përgatitën një prej gatimeve tradicionale korçare, duke u dhënë të gjithëve mundësinë që jo vetëm ta shijojnë, por edhe ta shohin nga afër mënyrën e veçantë të përgatitjes së lakrorit në saç.

“Lakrori me dy petë nuk ka yndyrë. Me saç është më i shijshëm”.

Qindra lakrorë u gatuan dhe u poqën me kujdes dhe më pas u tregtuan për të gjithë ata që kishin vendosur të shijonin një “copëz” të traditës Korçare.

“Është bukur, është hera e parë që kemi ardhur.

Jemi kënaqur dhe është festë me tërë mend për tu parë dhe për ta përjetuar. Por përveç asaj provojmë dhe një lakror prej polene.”

Kjo festë është sjellë në kuadrin e aktiviteteve, që organizon Bashkia e Korçës, për të promovuar zonën, traditën e kuzhinës korçare dhe për të ndezur mbrëmjet e verës. Sipas Kryebashkiakut të Korçës Sotiraq Filo, “Festa e lakrorit” është shndërruar në një traditë të përvitshme.

Filo: Aktiviteti synon të promovojmë dhe fshatrat e zonës sonë me traditën, kulturën e tyre, ngjarjet e tyre.”

E kthyer tashmë në një traditë të përvitshme, “Festa e Lakrorit” e kthen Korçën në epiqendrën e festimeve të verës.

Loading...