Me fillimin e punimeve për ndërtimin e fushës së stabilizimit dhe riciklimit të mbetjeve në stacionin e transferimit në Vumblo të Himarës, distanca e transportimit të mbetjeve urbane do të ulet, për rrjedhojë edhe kosto do të reduktohet. Duke mos përjashtuar faktin, që ky stacion tranzitor mbetjesh, do të garantojë ndarjen e mbetjeve që në burim, duke sjellë në Shqipëri një mënyrë të re të trajtimit të mbetjeve, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian dhe që redukton jo vetëm koston, por që siguron edhe mjedis të pastër dhe jetë të shëndetshme për qytetarët e Himarës.
“U krijua ky stacion, i cili është vetëm 7 km nga bashkia e Himarës, larg zonës turistike, në një zonë publike ku është bërë një investim për dy aspekte: E para për ndarjen në burim të të gjitha mbetjeve dhe për të siguruar riciklim në masë të madhe të mbetjeve të bashkisë Himarë, po ashtu një stacion tranzitor i mbetjeve për bashkinë e Himarës, i cili do të garantojnë edhe Bashkinë edhe sipërmarrësin privat që kostot do të përgjysmohen dhe po ashtu do kemi riciklim dhe një trajtim shumë më ndryshe të mbetjeve në bashkinë Himarë. Me projektin e qeverisë gjermane kemi siguruar plot 700 kosha për bashkinë e Himarës në këtë sezon të ri veror dhe duke siguruar edhe pikën e grumbullimit dhe të dekompozimit përpara se ato të shkojnë drejt pikës fundore do të kemi mundësinë që Himara këtë vit të jetë shumë më e pastër dhe të ketë një sistem trajtimi modern të mbetjeve urbane”, tha ministri Klosi, gjatë inaugurimit të punimeve në stacionin e transferimit të mbetjeve në Vumblo.
Sipas ministrit, ajo që i del detyrë qeverisë, bashkisë Himarë, por edhe të rinjve të projektit Smile Albania për këtë sezon është ndërgjegjësimi i qytetarëve, pushuesve në Himarë, për ti ndarë mbetjet që në burim, por edhe për të kërkuar me rigorozitet respektimin e orareve të transportimit të mbetjeve, pa shkaktuar trafik dhe shqetësim tek pushuesit.
“Në qoftë se do të jemi të gjithë së bashku në këtë përpjekje, këtë sezon besoj do ta kemi shumë më të pastër Himarën, do të kemi një model shumë të mirë që do të duam ta implementojmë në disa bashki të tjera bregdetare, falë projektit të qeverisë gjermane dhe projekteve të tjera që mbështesin filozofinë e re të trajtimit të mbetjeve urbane në vendin tonë, për të garantuar sezon turistik të pastër dhe cilësor”, u shpreh ministri Klosi.
Falë këtij investimi do të ulet numri i mbetjeve që shkojnë në landfillin e Bajkaj, duke krijuar të ardhura shtesë për bashkinë Himarë, por edhe vende të reja pune në industrinë e riciklimit. /atsh