Të rinjtë francezë të mahnitur nga bukuria e qytetit bregdetar, që ofron plazhe, monumente të shumta kulturore dhe peizazhe fantastike, zgjodhën për të tretin vit radhazi përsëri Vlorën për ta bërë pjesë të turit të tyre.
Europ’Raid, përfaqëson një nismë që nxit dhe konkretizon idenë për të përshkuar me makina më shumë se 10000 km rrugë përgjatë 23 vendeve europiane dhe për t’i promovuar ato .
Të rinjtë u vendosën në plazhin e vjetër ku shijuan perëndimin e diellit, ushqimin dhe aktivitetin e përgatitur për ta.
Ata festuan deri në orët e para të mëngjesit nën tingujt e muzikës në një disko verore.
Organizatori i Europ’Raid, Benjamin Laidin, u shpreh se “jam shumë i lumtur që jam kthyer sërish në Vlorë, për herë të tretë dhe me një numër akoma më të madh turistësh. Më pëlqeu shumë Vlora, ishte një organizim perfekt dhe sigurisht vitin tjetër do të vijmë përsëri në këtë qytet të bukur”.
Ndërsa një i ri francez shprehet se “jemi të lumtur që jemi në Shqipëri dhe kemi shumë dëshirë të udhëtojmë dhe të zbulojmë vendin”.
Europ’Raid konsiderohet një ngjarje unike kulturore, që synon zbulimin e një trashëgimie, një kulture, një historie, një populli … Nga Mesdheu deri në Detin e Zi, nëpërmjet Karpateve dhe maleve Tatra, Rinit dhe Danubit, në rivierën shqiptare, Europ’Raid rizbulon peizazhin natyror, qytetet e famshme dhe vende historike europiane: si sheshin e Shën Markut në Venecia, Akropolin e Athinës, xhamitë e Stambollit, Murin e Berlinit, apo kanalet e Amsterdamit.
Europ’Raid gjithashtu do të thotë më tepër kontakte mes popujve. Çdo natë, me dëshirën për të ndarë kulturën e tyre, pjesëmarrësit zbulojnë kultura lokale të vendeve ku kalojnë.
Me makina Peugeot 205, ata duhet të udhëtojnë më shumë se 10.000 kilometra, gati 450 kilometra në ditë, duke e bërë Europ’Raid një nga turet sportive më të gjata në botë.
Turizmi shqiptar është futur tashmë në rrjetin e vendeve turistike europiane dhe botërore./atsh