Gjiknuri: Rruga e Lumit të Vlorës, konfirmon fuqinë transformuese të PS

Gjatë ditës së sotme është konstituuar Këshilli Bashkiak i Selenicës dhe u betua kryetari i bashkisë, Pëllumb Binaj.

Ish-kryetari i Bashkisë Selenicë, Përparim Shametaj (njëkohësisht edhe kryetar i PD-së) është larguar duke i lënë zyrën kryebashkiakut të zgjedhur në 30 qershor.

Pas marrjes së detyrës së kryetarit të ri, Damian Gjiknuri, koordinator politik i PS-së në qarkun e Vlorës vlerësoi ish-kryetarin.

“Ka qenë një proces politik i rëndësishëm me vështirësitë e tij. Në Selenicë patëm disa kandidatë dhe këtu u bë një garë e vërtetë, reale dhe ku doli përfaqësuesi i zgjedhur nga populli. Tani i takon Kryetarit të Bashkisë për të krijuar urat e komunikimit, për të qenë pranë dhe atyre qytetarëve që votuan kundër apo që nuk morën pjesë në votim”, tha Gjiknuri.

“Rikthimi i kësaj njësie vendore në drejtimin e Partisë Socialiste është garancia më e mirë për të ecur në drejtimin e duhur për Selenicën që duam. Rruga e Lumit të Vlorës si një premtim që po realizohet e konfirmon më së miri fuqinë transformuese të PS në qeverisje”, theksoi Gjiknuri.

Kryetari i Bashkisë së Selenicës, Binaj i falënderoi të gjithë për këtë kurorëzim të suksesshëm të këtij aksioni politik për zgjedhjet e 30 qershorit.

“Unë që nesër nis punën për të përballuar sfidat që janë në këtë bashki. Bashkë me Këshillin Bashkiak, bashkë me të gjithë përfaqësuesit e forcës që unë përfaqësojë, do të nisim punën për të përballuar katërcipërisht punët e mëdha që na presin përpara”, tha Binaj në fjalën e tij./atsh

Loading...