Lorik Cana mund të kthehet tek futbolli, por këtë herë si president i një klubi.
Është ky lajmi që vetë ish-kapiteni i kombëtares e ka bërë të ditur.
Në një intervistë me të përditshmen franceze “La Provence, Cana foli për jetën e tij, ndërsa ajo që tërhoqi më shumë vëmendje ishte deklarata e tij se shumë shpejt mund të blente një klub.
Cana u shpreh:
Kam nisur negociatat për blerjen e një klubi, por nuk mund të flas për të ende. Ky është një klub që nuk është pjesë e njërës nga pesë ligat më të mëdha europiane, por do të jetë një vend i mirë për të krijuar përvojë. Më duhet të shoh nëse e pëlqej, nëse ndjehem mirë në këtë rol dhe nëse mund të mendoj të shkoj në një klub më të madh. Më tepër synoj drejtimin sportiv, ose në përgjithësi drejtimin e përgjithshëm. Për të stërvitur (trajner), kurrë nuk më ka tërhequr. Drejtimi, me të vërtetë më intereson mua.”
Kujtojmë se Loriku është tërhequr nga futbolli që nga prilli i vitit 2017, ndërsa ka luajtur 92 ndeshje me Shqipërinë dhe ka shënuar një gol.