Meta dhe Basha mesazh ngushëllues për ndarjen nga jeta të gazetarit Fatos Baxhakut

Presidenti i Republikës Ilir Meta dhe kryedemokrati Lulzim Basha kanë ngushëlluar ndarjen nga jeta të publicistit dhe gazetarit të njohur, Fatos Baxhaku, i cili humbi betejën me një sëmundje të rëndë, nga e cila vuante kohët e fundit.

Kreu demokrat, Basha thotë se i tronditur ka mësuar ndarjen nga jeta të Fatos Baxhakut duke theksuar se ai ishte një ikonë e gazetarisë së re të Shqipërisë, që lindi si tribunë e fjalës së lirë. Ndërsa Meta shprehet se emri i Baxhakut lidhet pazgjidhshmërisht me shtypin e lirë dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes, që për të ishin mision i shenjtë.

Mesazhi i Bashës
Mësova i tronditur për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit, publicistit dhe historianit Fatos Baxhaku. Një ikonë e gazetarisë së re të Shqipërisë, asaj që lindi si tribunë e fjalës së lirë, bashkë me demokracinë në vitin 1991, Fatos Baxhakut si shumë pionierëve të tjerë të fushës, iu desh të përshkonin të parët shtegun e pashkelur të profesionit dhe etikën e profesionit në të njëjtën kohë. Ai ishte për shumë vjet edhe gazetar, edhe profesor i gazetarisë, edhe polemist e replikues, edhe sindikalist i gazetarëve, edhe mbrojtësin e të drejtave të njeriut.

Fatos Baxhaku i përket asaj plejade gazetarësh që kontribuan më së shumti që të mos e linin gazetarinë të humbte thelbin e vet e të bëhej nga mbrojtëse e interesit publik, në zgjatim të interesave okulte. Në këtë fushë Baxhaku spikati në mësimdhënien e gazetarisë, por edhe si një shembull integriteti profesional dhe pavarësie.

Pionier i reportazhit e dokumentarit televiziv, gazetaria shqiptare është me fat që pati për thuajse 30 vjet shërbimet e Fatos Baxhakut. Fatkeqësisht ato nuk do t’i ketë më, por do të shfrytëzojë si thesar trashëgiminë e tij.

Në këto momente të vështira i gjendem pranë familjes, në humbjen e pangushëllueshme të njeriut të tyre më të dashur. U prehtë në paqe!

Mesazhi i Metës
Dhembje e thellë për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit dhe publicistit të mirënjohur, Fatos Baxhaku! Një nga pionierët e shtypit të pavarur të fillimviteve ’90, Baxhaku spikati si një penë e mprehtë dhe kritike e tranzicionit shqiptar, por veçanërisht edhe si një nga autorët më të njohur të reportazheve të shkruara e dokumentarëve televizivë.

Fatosi u bë protagonist i rendit të parë në jetën publike të vendit për tridhjetë vjet me rradhë, duke e lidhur emrin e vet pazgjidhshmërisht me shtypin e lirë dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes, që për të ishin mision i shenjtë!

Në këto momente dhembjeje të madhe, ju shpreh ngushëllimet e mia të ndjera dhe jam pranë familjes dhe gjithë të afërmve të Tij, të cilët humbën njeriun e tyre më të dashur, por edhe pranë komunitetit të gazetarëve që humbën shokun, mikun, kolegun e pazëvendësueshëm, modelin e profesionistit, i cili asnjëherë nuk bëri kompromis në dëm të përmbushjes së misionit, që iu dedikua me pasion dhe përkushtim shembullor.

Fatosi do të na mungojë të gjithëve, por do të jetojë gjithnjë emri, thjeshtësia dhe mirësia e tij! Lutem që shpirti i Tij të prehet në paqen e përjetshme!

Loading...