UNESCO ka vlerësuar punën që po bën Shqipëria në drejtim të promovimit dhe mbrojtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore.
Për të dytën herë brenda pak muajsh ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro është takuar me drejtoreshën e përgjithshme të UNESCO-s, Audrey Azoulay, takim ky që u mbajt në Paris, në selinë e UNECO-s, aty ku është hapur ekspozita “Një dritare në trashëgiminë kulturore të Shqipërisë”.
“Audrey Azoulay jo vetëm një mikeshë e mirë, por edhe një dashamirëse e vëmendshme e Shqipërisë për kauzat tona të përbashkëta: Edukimin dhe Kulturën. Kënaqësi dhe nder që të merrja përgëzimet e saj në emër të UNESCO-s, për punën që po bën Shqipëria me Trashëgiminë Kulturore”, thotë ministrja Kumbaro.
Ekspozita dhe takimi me drejtoreshën Audrey Azoulay në selinë e UNESCO-s vjen në kuadër të 60-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në këtë organizatë. Ekspozita u çel një ditë më parë nga ministrja e Kulturës dhe do të qëndrojë e hapur për disa ditë. Pjesë e kësaj ekspozite është një koleksion i ikonave bizantine, i piktorëve të rrallë shqiptarë. Me rastin e 60-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në UNESCO, në mesin e muajit tetor u organizua në Shqipëri një aktivitet, ku u evidentua puna kolosale e bërë ndër vite për të mbrojtur dhe promovuar vlerat e trashëgimisë tonë kulturore.
Pak mbi Shqipërinë në UNESCO…
Qyteti antik i Butrintit ishte pasuria e parë që u bë pjesë e trashëgimisë botërore në vitin 1992. Më pas vijoi puna me pranimin e Gjirokastrës, Beratit dhe Isopolifonisë. Aktualisht, Shqipëria ka aplikuar pranë kësaj organizate me pasuri të tjera. Është duke u shqyrtuar dosja për praninë në po këtë listë të Liqenit të Ohrit për pjesën shqiptare, si zgjerim i pjesës maqedonase. Miratimi pritet të ndodhë në sesionin e korrikut 2019. Më pas do të aplikohet për qytetin antik të Apolonisë, Amfiteatrin e Durrësit, Varret e Selcës apo Kështjella e Bashtovës.
Ndërkaq, në bashkëpunim me UNESCO-n ka nisur puna për hartimin e Planit të Integruar të Menaxhimit të Parkut të Butrintit, i cili do të përfundojë vitin e ardhshëm./atsh