Hungaria ka miratuar kërkesën e Nikolla Gruevskit për azil politik. Ish-kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski përmes një postimi në Facebok e ka bërë të ditur pranimin e kërkesës nga autoritetet hungareze.
“Republika e Hungarisë, si vend anëtar i BE-së dhe NATO-së, i është përgjigjur pozitivisht kërkesës sime të parashtruar më parë me kërkesën për status politik për shkak të ndjekjes politike në Maqedoni. Në kërkesën për azil politik kanë theksuar se të njëjtën gjë e kërkoj për shkak të përndjekjes politike nga qeveria e re e udhëhequr nga partia LSDM. Unë nuk kam ikur nga drejtësia, por duke shfrytëzuar metoda të tjera demokratike ndërkombëtare vazhdoj të kërkoj drejtësinë për mua dhe të gjitha viktimat e tjera të ndjekjes politike në Maqedoni”, ka shkruar Nikola Gruevski.
Gruevski thotë se jeta e tij ka qenë në rrezik, kurse disa herë në shkrimin e tij potencon që ka pasur informacione se dikush ka përgatitur vrasjen e tij në burg. Ai thotë se ka vendosur me metoda të tjera të vazhdojë luftën e tij kundër kësaj qeverisje, i pëlqen ose jo dikujt. Ai ka akuzuar qeverinë për siç ka thënë, kaos, politizim të gjyqësorit, rrënimin e shtetit juridik, rrezikimin e interesave kombëtare dhe shtetërore.
Qeveria e Shkupit kërkon ekstradimin e Gruevskit
I menjëhershëm ka qenë reagimi i qeverisë së Shkupit, nga ku kanë hedhur poshtë pretendimet e Gruevskit për rrezikimin e sigurisë së tij dhe për proces të padrejtë gjyqësor ndaj tij.
“Nikolla Gruevski është i gjykuar me vendim të plotfuqishëm në një proces publik dhe transparent, njëkohësisht kundër tij zhvillohen disa procese gjyqësore, hetime dhe një procedurë parahetimore. I dënuari Nikolla Gruevski ka qenë nën mbrojtje policore sipas të drejtave që i takonin si ish- kryeministër dhe ndaj tij në asnjë rast nuk janë paraqitur kërcënime për jetën. Kundër Nikolla Gruevskit kurrë nuk është zhvilluar asnjë përndjekje politike dhe asnjë institucion qeveritar nuk e ka kërcënuar me jetë. Nga këtu konstatojmë se qëllimi i vetëm i Gruevskit ka qenë ikja nga drejtësia”, thonë nga qeveria.
Kërkesa për ekstradim mbështetet në vendimin e Gjykatës Penale të Shkupit, e cila e ka dënuar Gruevskin me dy vjet burgim, për shpërdorim të detyrës zyrtare, por edhe për katër procese tjera gjyqësore që po zhvillohen kundër tij. “Republika e Maqedonisë kërkon që personi, Nikolla Gruevski të ekstradohet dhe duke marrë parasysh seriozitetin e veprave penale, kërkojmë që i njëjti të ndalohet dhe të mbahet në paraburgim për faktin se kundër të njëjtit është shpallur edhe fletarrest ndërkombëtar”, është në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë, duke hedhur poshtë pretendimet e ish-kryeministrit Gruevski se ndaj tij ka pasur kërcënime për jetë, transmeton “DW”.
Të dhënit azil nuk e bën Gruevskin të lirë
Azili i marrë nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski i jep atij të drejtën për të lëvizur lirshëm vetëm në territorin hungarez, por jo më tej, shpjegon profesorja e të drejtave të njeriut Mirjana Najçevska.Nëse ai largohet nga Hungaria, një urdhër arresti ndërkombëtar do të aktivizohet dhe ai do të arrestohet siç u arrestua kryeministri kroat Sanader, kur ai shkoi në Austri.
“Fakti që ai u është dhënë azil nuk e bën Gruevskin një njeri të lirë. Tani në kërkesën për ekstradim, qeveria duhet të sfidojë të gjitha këto akuza, sepse i është dhënë azil nga një vend me të kuptuarit e çuditshëm të demokracisë”, thotë Mirjana Najçevska.
Vazhdojnë arrestimet në Maqedoni
Ish-shefi i shërbimit sekret DSK Sasho Mijallkov është arrestuar gjatë mbrëmjes në Shkup. Mijallkov është prangosur në hotelin “Merriot” në Shkup, ku më pas është dërgur menjëherë në burgun hetues të Shutkës. Ai është arrestuar me kërkesë të Prokurorisë Speciale pas informacioneve për rrezik të arratisjes së tij. Arrestimi i tij vjen pas arrestimit të ish-ministrit të transportit Mile Janakievski dhe ish sekretarit të VMRO-DPMNE, Kiril Bozhinovski, dhe pas arratisjes së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Ndaj Mijallkovit rëndojnë akuza për keqpërdorim pushteti, korrupsion dhe shkelje të tjera ligjore gjatë kohës si shef i shërbimit sekret në periudhën e qeverisjes së VMRO-DPMNE-së./Lajmi.net/