Duhet ta lexoni – Disa nga çudirat e femrave shqiptare

Të jesh femër në Shqipëri, nuk është edhe aq e lehtë sa ç’duket!

Përpara disa vitesh, kërkoja të shkruaja një artikull me titull: “10 arsyet për të cilat ia vlen të jetosh në Shqipëri” dhe më besoni, asnjëherë nuk arrita ta mbaroja.

Jo për gjë, por mbetesha gjithnjë tek arsyeja e tretë dhe e katërt. Dy të parat kishin të bënin me dashurinë për vendlindjen, mallin për familjen, nostalgjinë për të kaluarën e bla bla bla si këto. Them bla bla bla, se ky vend më ka bërë pragmatike, si shumica e individëve që e jetojnë atë ose më mirë, që e mbijetojnë atë, por gjithsesi pa mundur të më sqarojë shumicën e paradokseve me të cilat ndeshesh kudo.

Përgjatë vrojtimeve personale psiko-sociale të këtyre viteve, duke vërejtur elementë interesantë të botëkuptimit femëror shqiptar, ajo që arrita të përmbledh në një artikull ishin disa dhjetëra kontradikta që karakterizojnë të qenit femër në Shqipërinë tonë. Në fakt, janë më shumë se 10, por u mundova t’i përmbledh e t’i shkruaj në vetën e parë, numrin shumës, për faktin se kështu qasen më ëmbël në veshin e bashkëbiseduesit, i cili përgjithësisht është shumë i ndjeshëm ndaj çdo elementi “shitmendsjellës”. Nuk janë gjëra të padëgjuara më parë, nuk janë të padiskutuara, nuk po shkruaj çudira, janë thjesht të përsëritura. I kemi nën hundë çdo ditë, bëjnë për të qeshur, për të qarë e për t’u tallur. Tek ndonjë aspekt mund të gjejmë edhe veten, mund ta gjejmë në të gjitha aspektet, por për diçka jam e sigurt që nuk do ta pranonim kurrë hapur. Jo më kot kjo përbën edhe kontradiktën e parë.

“Kam një defekt: Jam perfekte”

Pretendojmë se jemi femra të realizuara, të sinqerta, pa frikë nga paragjykimet apo “opinioni”, ndërkohë që në biseda kafesh çdonjëra mundohet të vërë në dukje “përsosmërinë” e saj, të qenit largpamëse, pa komplekse, moderne, që nuk sheh “Big Brother”-in shqiptar apo “Ezel”-in. Paradoksi shkon edhe më lart, në intervista VIP-ash shqiptarë, ku asnjëherë nuk pohohet ndonjë e metë apo defekt konkretizues. Përgjigje të tilla si: “E meta më e madhe e imja? Që jam e sinqertë” ose “Defekti im më i madh? Që jam njeri shumë i drejtë”, ose “nuk mbaj mëri” ose “nuk fal kollaj” (kjo e fundit, po ta vini re, konsiderohet si atribut pozitiv në vendin tonë). Për mendimin tim, kulmi arrihet në “Top Show”, një emision i cili njihet për audiencën e tij të lartë dhe si rrjedhim edhe përsosmëria duhet të jetë nga më të lartat. Aty nuk ekzistojnë femra joperfekte, të shëndosha ose në dilemë. Mbaj mend që, njëherë, pyetjes së drejtuesit: “A mendoni se bashkëshortja juaj është e shëndoshë?”, pjesa më e madhe i përgjigjej: “Unë e dua kështu siç është”. Më falni, por pyetja nuk konsistonte në vënien në dyshim të dashurisë suaj. Më falni, por duke mos pranuar asgjë njerëzore, e cila është fakt, rrezikohet të humbet kredibiliteti i imazhin tonë. Është shumë e thjeshtë. Kujdes, meshkujt janë më të zgjuar se ç’mund të duken ndaj hipokrizive të tilla.

Në PUB me të brendshme, në shtrat me xhinse

Një paradoks tjetër që vihet re rëndom, është ekzistenca e një lirie të theksuar në veshje, e cila nuk përkon me të njëjtën liri në veprimet e femrave shqiptare. Veshjet ekstravagante të stilit “prosti” (të më falni për termin, por e kam vetëm për stilin e veshjes), domethënë taka të larta me platformë, minifund dhe dekolte (ndërkohë që korrekt është përdorimi i vetëm prej njërit prej këtyre elementeve, i cili përjashton dy të tjerët; në qoftë se vesh minifund të shkurtër fare, ai nuk mund të pranojë edhe dekoltenë, edhe takat e kështu me radhë). Ky lloj stili nuk përkon fare me stilin “one night stand”, që mund të pritet nga një veshje e tillë. Dekolteja e hapur nuk përkon aspak me “hapjen” ndaj njohjeve të reja. Nëpër pub-e sheh vajzat tejet “të ngrefosura”, shumë të bukura, të cilave (siç pohojnë shumë shokë apo kolegë meshkuj) nuk mund t’u afrohesh, se të shohin vëngër. Rreshtohen aty dhe presin. Po për çfarë?

“A të dua? Plotëso formularin!”

Përgjithësisht e kemi një ëndërr. Një dashuri të madhe dhe pasionante… por jo me këdo që të transmeton këtë lloj ndjesie. Dashuria duhet të lindë për dikë që përmbush standardet që ne i kemi vendosur vetes: shkollë e lartë, profesion prestigjioz, rrogë stabël, shtëpi, makinë e mirë (standardet janë relative, ato ndryshojnë nga statusi dhe botëkuptimi i vetë kandidates). Ajo lidhje dashurie që mund të ofrojë një një djalë jo i këtyre standardeve, nuk quhet. Ajo konsiderohet naive, adoleshenciale apo çmenduri (në varësi të vetëbesimit që ka femra në fjalë). Shpeshherë harrohet fakti që, dhe këtu po citoj Beninjin, që dhe ai diku do ta ketë lexuar: “Lumturia duhet të kushtojë pak, sepse nëse kushton shtrenjtë, nuk është e një cilësie të mirë”.

“E ardhmja ime – të kaluarën tënde = lumturi”

Në fakt, dëshira për lumturi ekziston, por jo me çdo lloj kostoje. Kostoja duhet të jetë brenda një çmimi tavan të përcaktuar nga ne, absolutisht jo me meshkuj të divorcuar e aq më keq me fëmijë. Pa e vënë re, ndoshta shpeshherë u kemi mbyllur derën dashurive të mëdha, për arsye si këto e të ngjashme. Këtë e bëjnë shpesh edhe meshkujt, po në këtë shkrim po përqendrohemi tek femrat. Duhet kurajë, shumë kurajë për të dalë kundër rrymës, një kurajë që jo gjithnjë ato femra, të cilat hiqen si moderne apo me horizonte të gjerë e kanë. Çuditërisht janë shumë të rralla ato që e zotërojnë këtë armë. E akoma më të rrallë janë meshkujt e kësaj natyre.

Qejfi për të tjerët, lekët për vete

Le të merremi pak me anën profesionale. Ekziston gjerësisht dëshira për vetërealizim dhe rritje në karrierë, por kurrsesi nuk do të hiqnim dorë nga një punë e sigurt për një punë të bukur, e cila na pasionon; nuk do të mundeshim t’i linim një ditë të vetme “marrëdhëniet tona me publikun” në kafe apo nëpër vitrinën e madhe të Dhërmiut ose të Bllokut, për një hobi, ekskursion apo punë vullnetare. Na pëlqejnë shumë filmat amerikanë, ku protagonisti bën në fund një zgjedhje individuale e të sinqertë me veten, por harrojmë që në këtë drejtim jemi konservatorë europianë.

Karriera vdiq! Rroftë karriera!

Paradoksi, i cili mbetet gjithnjë shumë interesant, ka të bëjë me atë që ne i mbushim mendjen vetes çdo ditë dhe kjo ka të bëjë me pikën e parë të këtij shkrimi, por është kategori më vete. Mbrojmë me gjithë shpirt karrierën dhe të qenit karrieriste në rast se nuk kemi krijuar familje dhe mbrojmë me shumë zell familjen dhe jetën familjare në kurriz të karrierës në rast se ndodhemi në anën tjetër të lumit.

“Shanse të barabarta: Kur të mallkojnë”

Kemi dëshirë për një karrierë brilante dhe shanse të barabarta, ndërkohë që e gjejmë veten duke shfryrë: “Kur e bëj unë që jam femër këtë lloj gjëje, atëherë pse të mos mundohet ai që është mashkull?”, ose “Jam antikonformiste në punë, megjithëse jam femër”, ose “Jam aq e përkushtuar, megjithëse femër etj. etj.” Harrojmë që në momentin që nuk duam të na diskriminojnë, atëherë nuk kemi pse vetëdiskriminohemi në këtë mënyrë, duke kërkuar njëkohësisht barazi dhe privilegje.

“Vërtet s’kam lekë, por stërgjshi im ka pasur”

Tendenca e shpeshtë është të ngremë lart vlerat e prejardhjes familjare, të qena apo të paqena qofshin. Sa më lart të ngjitemi në hierarkinë shoqërore, aq më e shpeshtë bëhet kjo tendencë. Shkrimet nëpër revista e gazeta të personazheve VIP apo intelektualë janë të mbushura me stërgjyshe bija bejlerësh, me stërgjyshër tregtarë të zotë (a thua se tregtia dhe pasurimi është vlerë e shtuar aristokratike), familje me prona apo të dala jashtë vendit me kohë. Ka rënë miti i gjyshit partizan apo idealist dhe me një biografi të pastër në komunizëm, për t’u zëvendësuar me gjyshin pasanik, be apo aga në periudhën e ekonomisë së tregut.

Të drejtat e femrave të hyjnë sipas radhës!

Një paradoks tjetër gjendet edhe tek femrat që flasin për të drejtat e femrave. Shpesh bëhet fjalë për femra të arsimuara dhe ekonomikisht mbi mesataren, duke lënë pas dore femrën e zonave rurale, të paarsimuar, të varfër, atë kategori femrash të cilave “kuotat rozë” në politikë do t’u dukeshin si krëhëri për qerosin.

“Të martohem e pastaj le të vdes”

Jo, nuk është e vërtetë që kemi si qëllim përfundimtar MARTESËN! Jemi femra shumë të emancipuara për ta pranuar këtë!

Vetëm kur papritur përfundojmë duke qarë për faktin se djali me të cilin po dalim nuk po bën asnjë hap përpara për të konsoliduar lidhjen e dashurisë! Në të tilla raste, kalojmë menjëherë në stres apo në panik dhe shkojmë të qahemi tek shoqja e zemrës. Vetëm tek ajo, se për të tjerët jemi “shumë të lumtura kështu”.

Në këto raste, ka edhe femra më “të zgjuara” e stoike, të cilat arrijnë të mbajnë rolin e femrës së pavarur deri në fund ose, më mirë, derisa të arrihet qëllimi final, pra martesa.

Madje, ka raste, kur sa më e fortë të jetë dëshira për të arritur qëllimin e martesës, aq më të pavarura, moderne e liberale sillen me partnerët e tyre. Ndërkaq, femrat rob të vetvetes çuditen, ndërsa shokët e tyre ankohen: “Nuk e kuptova se si u transformua kështu pas martesës, si u bë kaq xheloze e mendjengushtë…”.

Ndoshta duhet të thellohemi disi më shumë në pranë e këtyre paradokseve, të mësojmë ta njohim pak më mirë vetveten dhe mbi të gjitha ta pranojmë ashtu siç është. T’i japim vlerë madhështisë së vogëlsirave që na rrethojnë dhe na karakterizojnë. Vetëm kështu do të kishte më shumë gjasa të krijonim një dashuri të shëndetshme, një familje të shëndetshme në një shoqëri të shëndoshë… por pa kile të tepërta./Nga Klodiana Beshku

Loading...