Kombëtarja shqiptare e futbollit ka arritur të fitojë në ndeshjen miqësore ku përballë kishte ekipin e Uellsit.
Ndeshja u fitua me rezultatin 1-0 nga kuqezinjtë edhe pse ndeshja u dominua kryesisht nga ekipi i Uellsit. Vendimtar në këtë takim, ka qenë goli i shënuar në pjesën e dytë nga sulmuesi shkodran Bekim Balaj, i cili ka kthyer në gol një penallti, të fituar në minutën e 58-të nga mesfushori Taulant Xhaka. Kuqezinjtë kanë pasur disa raste të mira për të shënuar, por që nuk janë shfrytëzuar. Në pjesën e parë ishte portieri Berisha ai që shpëtoi Shqipërinë në dy raste, ndërkohë që pas golit të kombëtares sonë, uellsianët patën pretendim për penallti në dy raste. Kjo fitore, duket sikur lë pas humbjen 0-4 ndaj Skocisë, megjithatë, pritet që të ketë një vendim për trajnerin Panuçi./ATSH