Gjirokastër, masa për fillimin e procesit mësimor në shkollat e qarkut

Prefekti i qarkut të Gjirokastrës, Astrit Aliaj, ka ngritur një grup pune për monitorimin e institucioneve arsimore të qarkut Gjirokastër për marrjen e masave për fillimin e procesit mësimor 2019-2020.

Gjatë këtyre ditëve grupi i punës ka kryer inspektime në institucionet arsimore të qarkut Gjirokastër, përkatësisht në institucionet nën juridiksionin e Zyrave Arsimore Gjirokastër-Dropull-Libohovë ku përfshihen në total 27 shkolla, në ZVA Tepelenë-Memaliaj janë 56 shkolla, ndërsa në ZVA Përmet-Këlcyrë janë së bashku 38 drejtori dhe shkolla vartëse.

“Nga inspektimet e kryera deri më tani grupi i punës ka konstatuar disa problematika të tilla si: hidroizolimi i pjesshëm i tarracave, eliminimi i lagështirës në ambientet shkollore, rregullimi i tualeteve, lyerja e ambienteve të jashtme dhe të brendshme në disa shkolla etj”, bën të ditur prefektura e Gjirokastrës.

Sipas prefekturës, lidhur me këto problematika nga ana e kryetarëve të bashkive përkatëse rezulton se po merren masat e nevojshme për të bërë të mundur eliminimin e mangësive dhe problematikave me qëllim që viti i ri shkollor 2019-2020 në qarkun e Gjirokastrës të zhvillohet në kushte sa më normale.

Prefektura sqaron se në kuadër të mbarëvajtjes së procesit mësimor do të kërkohet nga ana e drejtuesve të insitucioneve arsimore të pajisen me tekstet shkollore dhe të planifikojnë në kohë shpërndarjen e tyre në bashkëpunim me distributorin për të gjithë nxënësit, si dhe të marrin masa për regjistrimin e nxënësve për vitin arsimor 2019-2020.

Në ditët në vijim do të vazhdojnë inspektimet nga Institucioni i Prefektit, i cili do të ndjekë me prioritet çdo problematikë apo çështje në drejtim të përmirësimit të cilësisë së arsimit në qark, me qëllim fillim e mbarë të vitit arsimor 2019-2020./atsh

Loading...