Pas projektit pilot në gjimnazet e Tiranës, buxheti 2019 për Arsimin parashikon dhjetëfishim të numrit të oficerëve të sigurisë në shkolla. Kryeministri Edi Rama i pranishëm në prezantimin e buxhetit të Arsimit theksoi se projekti pilot në gjimnazet e Tiranës testoi figurën e oficerit të policisë në shkolla dhe ka marrë reagime pozitive.
“Pamë të mirat e kësaj figure të ndërmjetme, as mësues e as polic dhe që ka ndikim të drejtpërdrejtë në mbarëvajtjen e orëve të mësimit”, – theksoi Kryeministri. Ai vuri në dukje se janë parashikuar 150 oficerë sigurie në 150 gjimnaze të vendit, duke i dhënë përgjigje problemit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së mësimit në gjimnazet më të populluara, ku ka edhe nevojë më të madhe. /atsh