Policia njofton se nga të shtënat nuk ka pasur persona të lënduar, ndërsa sipas të dhënave të para, të shtënat kanë qenë paralajmëruese.
Rezulton se ky shtetas është shoqëruar disa herë nga policia e këtij qyteti si i dyshuar për prodhim dhe shitje narkotikësh. Në vitin 2016, Juxhin Kulla ka denoncuar dhunën barbare të ushtruar ndaj tij nga shefi i Antidrogës. Në foto duket qartë 34 vjeçari i sapodalë nga Komisariati i Korçës 3 vite më parë, ku sipas tij u dhunuar nga shefi i Antidrogës pas një shoqërimi në Komisiariat.
Në atë kohë, Kulla ka treguar se në ambientet e Policisë është rrahur në mënyrë barbare nga shefi i Antidrogës dhe një vartës i tij, teksa ishte me pranga. Nga ana tjetër, vetë Policia, me anë të një njoftimi zyrtar, ka bërë me dije se ‘arrestimi i Juxhin Kullës është bërë pasi ky shtetas, në ambientet e Drejtorisë së Policisë Korçë, për shkak të detyrës, ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Seksionit Kundër Narkotikëve’.
Sipas Policisë, konfrontimi ka ndodhur mes vetë të shoqëruarit dhe shefit të Seksionit, Buis Hysi, dhe për pasojë kanë marrë dëmtime të dyja palët. Burime zyrtare të Policisë bënë me dije se lidhur me rastin fillimisht është pezulluar shefi i Seksionit Buis Hysi, si dhe është kërkuar një hetim nga SHKB për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Në vitin 2016 Juxhin Kulla sapo kishte dalë nga Burgu i Drenovës, pas vuajtjes së një dënimi 8-vjeçar, pasi u kap gjatë një operacioni policor me 5.6 gramë drogë, të cilat iu gjetën në makinë.