Rama: Nuk po mbyllim shkolla, por klasa përqendrimi

“Ata që i lanë klasat kolektive në sistemin arsimor le të vënë kujën dhe le të hidhen përpjetë e t’u thonë shqiptarëve se ne po mbyllim shkolla. Ne nuk po mbyllim shkolla, por po mbyllim klasa përqendrimi, ku fëmijët bëjnë sikur mësojnë. Kjo është e vërteta me të cilën do vazhdojmë të përballemi, pavarësisht të gjithave”. Kështu theksoi Kryeministri Edi Rama, në prezantimin e buxhetit 2019 për Arsimin, duke iu referuar mbylljes së klasave kolektive.

Ai theksoi se në këto klasa fëmijët nuk bënin mësim, dhe pavarësisht gjithçkaje, këto klasa do të vazhdojnë të mbyllen. Në vend të tyre, në buxhetin e Arsimit të vitit të ardhshëm janë parashikuar fondet e duhura për të garantuar transportin e nxënësve.

“Kemi rritur shumën që do vendoset për transportin e nxënësve dhe jo vetëm kaq, dhe jo vetëm që më vjen shumë mirë që me vendosmëri e guxim Ministria e Arsimit ka çuar para procesin e mbylljes së klasave kolektive, por ne do e vazhdojmë këtë”, – nënvizoi Kryeministri Rama. “Ne nuk po mbyllim klasa kolektive, por klasa përqendrimi”, – theksoi ai.

“35 mijë nxënësve dhe 12 mijë mësuesve iu garantojmë transportin, sigurojmë garancitë e transportit për të gjithë ata fëmijë që shpëtuan nga klasat kolektive. Ka plot të tjera dhe nëse shohim nga e ardhmja jemi kokulur dhe më vjen zor përballë prindërve që do i çojnë fëmijët sërish në klasa kolektive”, – nënvizoi Kryeministri, duke premtuar vazhdimin e procesit edhe vitin e ardhshëm. /atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/775590759485938/?t=0

Loading...